Në mes të muajit maj 2025, një shpërthim salmonelë në një kopsht publik në qytetin e vogël të Gramshit alarmoi autoritetet shëndetësore dhe ngriti shqetësime serioze për sigurinë ushqimore. Dhjetëra fëmijë përfunduan në spital, ndërsa hetimi për shkaqet mbeti i paqartë.
Kopshti frekuentohej nga 92 të mitur dhe kishte një staf prej 19 punonjësish. Rasti filloi kur një nga fëmijët u shtrua në spital me dizanteri klinike, duke vënë në alarm strukturat shëndetësore. Pas testimeve, 16 fëmijë dhe psikologia rezultuan të infektuar.
Inspektimi i kopshtit u shty për ditën e hënë, pavarësisht situatës alarmante, me justifikimin se institucioni ishte pushim. Ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksana, kritikoi vonesën:
“Shkon të shtunë e të dielë dhe thotë është pushim. Ligji parashikon që në çdo moment që ka një rrezik duhet të shkosh atje, edhe nëse është mbyllur, për të minimizuar riskun, por nëse zvarrit apo neglizhon, është e papranueshme.”
Sipas raportit të hetimit administrativ, salmonela u gjet tek vezët, por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) sqaroi se kontaminimi ka ndodhur në ambientet e kopshtit dhe jo në ushqimin e furnizuesit. Mostrat nga prodhuesi dhe ferma rezultuan negative, duke lënë përgjegjësinë vetëm mbi psikologen e infektuar.
Raporti zbuloi gjithashtu se etiketa e mishit të pulës të bllokuar në kopsht nuk përputhej me faturën, çka solli një gjobë prej 300 mijë lekësh për institucionin.
Historia tregon se produktet me origjinë shtazore janë përbërës kryesorë i menusë së kopshteve dhe çerdheve, duke rritur nevojën për kontrolle strikte. Sipas Instat, gjatë vitit 2024 mbi 66 mijë fëmijë frekuentonin sistemin parauniversitar, shumica në kopshte që shërbejnë drekë.
Në Bashkinë e Tiranës, e cila ka rreth 12 mijë fëmijë në kopshte dhe çerdhe publike, përgjatë periudhës 2021–maj 2025 janë prokuruar mbi 370 mijë kg mish pule dhe viçi, me kontrolle strikte për sigurinë ushqimore. Raste të prekjes nga salmonela gjatë 4 viteve të fundit kanë qenë sporadike, vetëm dy fëmijë, pa prekur staf apo të tjerë.
Ekspertët theksojnë se siguria ushqimore është një zinxhir i gjatë institucioneve, që fillon me prodhimin e ushqimeve, higjienën dhe frigoriferët, dhe përfundon tek kontrolli i sëmundshmërisë. Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore, shtoi:
“Një zinxhir shumë i gjatë që ndërpritet herë pas here për shkak të mbivendosjes së kompetencave apo hapësirave të paqartësive. Asnjë institucion nuk e kontrollon dhe monitoron të gjithë këtë proces në mënyrë të vazhdueshme.”
Rasti i Gramshit është një nga dhjetëra episodet që regjistrohen çdo vit, duke nënvizuar rëndësinë e masave të rrepta dhe përgjegjësisë institucionale për sigurinë ushqimore të fëmijëve.