Senatori amerikan Bernie Sanders ka ngritur alarmin për anën e errët të Inteligjencës Artificiale, duke paralajmëruar se nëse mbetet pa kontroll, ajo mund të fshijë gati 100 milionë vende pune në SHBA, gjatë dekadës së ardhshme – ndërsa fitimet e mëdha do të përfundojnë në duart e miliarderëve, e punëtorët do të mbeten pas.
Në një raport të ri të Komisionit të Senatit për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet (HELP), Sanders dhe demokratët e tjerë paraqesin një tablo shqetësuese për atë që e quajnë “lufta e Big Tech kundër punëtorëve”, duke kërkuar reforma të guximshme që teknologjia të vihet në shërbim të njerëzve, jo vetëm të drejtuesve të korporatave.
Raporti, me titullin “Lufta e Oligarkëve të Big Tech kundër Punëtorëve: Inteligjenca Artificiale dhe Automatizimi mund të shkatërrojnë gati 100 milionë vende pune në SHBA gjatë një dekade”, thekson se AI tashmë po çon në shkurtime masive të stafit në kompani gjigante si Amazon dhe Walmart, edhe pse këto kompani vazhdojnë të realizojnë miliarda dollarë fitime.
Në një op-ed për Fox News, Sanders, i pavaruri nga Vermonti dhe anëtari më i lartë i Komisionit HELP, nuk kurseu kritikat:
“Inteligjenca Artificiale dhe robotika që po zhvillohen nga këta miliarderë do t’i lejojnë korporatat amerikane të zhdukin dhjetëra milionë vende pune me pagesë të mirë, të ulin kostot e punës dhe të rrisin fitimet e tyre”.
Sanders përmendi drejtpërdrejt Elon Musk, Jeff Bezos, Mark Zuckerberg dhe Larry Ellison, duke i akuzuar se po “manipulojnë ekonominë për të zëvendësuar punën njerëzore me ‘punë artificiale’ për përfitimet e tyre personale”.