Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje të reja lidhur me projektin e investimit në ishullin e Sazanit, gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë.
Ai konfirmoi se negociatat për projektin, ku përfshihet edhe një investim i lidhur me familjarë të Presidentit amerikan Donald Trump, nuk kanë përfunduar ende, ndërsa theksoi se shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë që do të investojë dhe administrojë ishullin.
“Sazani është i Shqipërisë dhe do të mbetet i Shqipërisë. Ne ende nuk i kemi mbyllur negociatat. Shqipëria do të jetë pjesë e kompanisë dhe shqiptarët do të përfaqësohen përmes shtetit,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë sqaroi se projekti fillestar ka pësuar ndryshime, duke parashikuar tashmë më pak ndërtime dhe një fokus më të madh te aspektet kulturore dhe artistike.
Ai hodhi poshtë pretendimet se ishulli do të kthehet në një zonë të mbyllur apo elitare, duke theksuar se nuk do të jetë një resort i izoluar për një grup të privilegjuar.
“S’do të jetë resort i mbyllur dhe as rezervat i privilegjuar. Projekti ka ndryshuar dhe do të ketë një profil të rëndësishëm kulturor dhe artistik,” deklaroi ai.
Sipas Ramës, zhvillimi i ishullit të Sazanit synon të krijojë një nga projektet më tërheqëse turistike në rajonin e Mesdheut, duke sjellë përfitime ekonomike dhe rritje të interesit turistik për qytetin e Vlorës dhe më gjerë.



