back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 20 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetSeanca e tensionuar në Parlament/ Balla denoncon skenarin e opozitës

Seanca e tensionuar në Parlament/ Balla denoncon skenarin e opozitës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për mediat menjëherë pas përfundimit të seancës plenare të së enjtes në Kuvend, e cila u shoqërua me tensione të forta, përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe Gardës, si dhe me ndezje flakadanësh në sallë.

Sipas Ballës, sjellja e opozitës nuk është e re dhe përbën një skenar të përsëritur ndër vite, duke shtuar se kaosi i krijuar në Kuvend lidhet drejtpërdrejt me dështimin e protestave të organizuara nga Partia Demokratike për të mobilizuar qytetarët.

“Besoj se qoftë ju, qoftë qytetarët shqiptarë, e sotmja nuk është lajm i ri. Asgjë e re nga fronti i Lindjes. Sot, plot 8 vite më parë, kemi parë të njëjtën pamje në Kuvend”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se mungesa e pjesëmarrjes në protesta ka shtyrë opozitën drejt veprimeve ekstreme brenda Parlamentit. “Duket qartë që protestat nuk kanë frymë, nuk ka pjesëmarrje. Duhet t’i vëmë zjarrin Parlamentit që të vijnë njerëzit në protestë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush i jep urdhrat dhe kush qëndron pas këtyre imazheve që dëmtojnë Shqipërinë”, deklaroi ai.

Balla ndaloi edhe te betimi i Endrit Shabanit si Avokat i Popullit, duke e cilësuar të papranueshme përpjekjen e opozitës për të penguar këtë proces, pavarësisht se, sipas tij, vetë deputetët e PD-së kishin firmosur dhe votuar për zgjedhjen e tij.

“U sulmua Avokati i ri i Popullit, duke u përpjekur të pengohej betimi i tij, edhe pse ata vetë e kanë firmosur dhe votuar këtë zgjedhje”, tha Balla.

Seanca plenare e së enjtes u mbyll mes kaosit, pas votimit të rendit të ditës nga mazhoranca, ndërsa tensionet shënuan edhe përplasjen e fundit parlamentare për këtë vit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat