Seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për në datën 19 janar. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e vetë Veliajt, i cili nuk u shoqërua nga Instituti i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës drejt Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si dhe mungesa e disa mbrojtësve ligjorë.
Kjo është hera e radhës që seanca paraprake në ngarkim të grupit të të pandehurve, të marrë nën hetim nga SPAK për vepra të ndryshme penale, shtyhet. Stafi i kryebashkiakut pretendon se furgoni i shoqërimit ka mbërritur në Durrës rreth orës 09:00, në të njëjtën orë kur ishte parashikuar nisja e seancës në Tiranë.
Erion Veliaj kishte kërkuar të mbrohej personalisht, me qëllim që t’i jepej mundësia të njihej me dosjen hetimore, pas refuzimeve të vazhdueshme për t’i lejuar leximin e fashikujve. Ndërkohë, avokati i caktuar kryesisht nga GJKKO ndodhej jashtë vendit dhe nuk u paraqit në seancë.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt dhe përballet me akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në nëntë episode, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Kryebashkiaku i Tiranës, i cili vijon të mbajë detyrën me vendim të Gjykatës Kushtetuese, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova.



