Procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës ka nisur mes dyshimeve për devijime të votës preferenciale brenda listave të partive, megjithëse pa ndikim real në rezultatin përfundimtar të subjekteve apo kandidatëve.
Juristi Indrit Sefa, në një prononcim për Report TV, e konsideroi këtë proces si një lëvizje të gabuar politike nga ana e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke e cilësuar si një “autogol” që tani rrezikon të penalizojë komisionerët e vetë partisë.
“Berisha bëri autogol me rinumërimin dhe harroi farsën elektorale. Ai kaloi përgjegjësinë nga qeveria tek komisionerët e vet. Tani, gjithë kjo situatë mund të sjellë pasoja penale për më të devotshmit e partisë”, u shpreh Sefa.
Ai krahasoi këtë situatë me zgjedhjet e vitit 2021, ku çështje të ngjashme u hodhën poshtë nga Kolegji Zgjedhor dhe KAS-i, duke theksuar se nuk pret ndonjë përmbysje të rezultatit aktual.
“Kjo është déjà vu për mua. Ka precedentë të qartë. Mund të zgjasë mbi 20 ditë, por përmbysje nuk shoh. Ajo që shoh janë vota me probleme tek kandidatët, që ngre pikëpyetje për punën e numëruesve”, shtoi ai.
Sefa kritikoi gjithashtu nivelin e trajnimit të komisionerëve, duke thënë se shumë prej tyre nuk plotësojnë as kriterin e arsimimit të lartë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për manipulime në shkallë të gjerë, duke i quajtur të pamundura në kushte konkrete të qendrave të votimit.
“Ky proces do të marrë më qafë disa komisionerë, që hyjnë në burg për 90 mijë lekë të vjetra. Ata nuk shkojnë për lekë, por janë pjesa më e devotshme e partive”, deklaroi ai.
Deri më tani, rezultatet e rinumërimit nuk kanë prodhuar lëvizje domethënëse në ndarjen e mandateve, por kanë shtuar tensionin politik dhe mundësinë e kallëzimeve penale për persona që kanë administruar votat.