Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ishte i thirrur në kuadër të hetimeve ndaj tij. Mungesa e tij është justifikuar me shkak shëndetësor, pasi mësohet se lideri historik i demokratëve po kalon një virozë.
Burime pranë selisë blu dhe afër familjes Berisha bëjnë me dije se ish-kryeministri është i prekur nga një gjendje gripale, çka ka pamundësuar prezencën e tij fizike para prokurorëve të SPAK.
Ende nuk dihet nëse Berisha do të dalë në konferencën e përditshme për mediat, të cilën e ka shfrytëzuar rregullisht për të sulmuar institucionet e drejtësisë, veçanërisht SPAK-un dhe mazhorancën.
Ndërkohë, nuk është hera e parë që Berisha shmang përballjen direkte me drejtësinë me argumente shëndetësore apo procedurale. Kjo lëvizje pritet të nxisë sërish debat në opinionin publik, ndërsa opozita e drejtuar prej tij vijon të përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme.
SPAK nuk ka bërë ende një reagim zyrtar mbi mosparaqitjen e Berishës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë thirrje të re, apo ndonjë masë tjetër procedurale në vijim.