A po planifikon Serbia të destabilizojë apo edhe të sulmojë ushtarakisht shtetet e saj fqinje Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën? Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe homologu i saj boshnjak Denis Beciroviq paralajmëruan së fundmi për këtë skenar. Osmani tha në një intervistë televizive në shtator se kishte shpresë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE dhe NATO, “por parakusht për këtë është ta trajtojmë Serbinë ashtu siç është: një shtet satelit i Rusisë, i cili thellon bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe politik me Rusinë”.
Paralajmërimi i Beciroviqit për dëshirat territoriale të Serbisë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork ishte edhe më i fortë: “Nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dëshiroj të paralajmëroj publikun botëror se udhëheqja e Republikës së Serbisë kërcënon edhe një herë të cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”.
Beogradi po armatoset
Në fakt Beogradi ka vite që po armatos masivisht ushtrinë e vendit me sisteme moderne armësh. Beogradi ka blerë avionë luftarakë francezë dhe helikopterë sulmues rusë, të cilët presidenti serb Aleksandar Vuçiç i quajti “tanke fluturuese”. Përveç kësaj menjëherë pasi Rusia sulmoi Ukrainën Pekini dërgoi në Serbi sisteme kineze kundërajrore. Po ashtu ka njoftime që Serbia ka blerë nga Irani mijëra dronë, të atij tipi që Rusia i përdor çdo ditë kundër qyteteve ukrainase.
Revista “The Economist” shkruante në vitin 2021 se “blerjet e armëve” nga Beogradi po i frikësojnë vendet fqinje. Kurse Instituti i njohur suedez për Kërkime për Konfliktet SIPRI deklaroi në vitin 2022 se buxheti i Beogradit për mbrojtjen është 1.3 miliardë euro, pra dhjetë herë më i madh se ai i Kosovës.
Epërsia ushtarake e Serbisë ilustrohet edhe nga inventari i saj i tankeve. Me rreth 250 tanke, Serbia ka më shumë tanke se të gjitha republikat e tjera të ish-Jugosllavisë së bashku – për krahasim: ushtria gjermane, Bundeswehr, ka 295 tanke. Kroacia renditet në vendin e dytë me 75, Bosnja në vendin e tretë me 45, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 31. Kurse as MaMali i Zili i Zi dhe as Kosova nuk kanë tanke.
Kjo është ndoshta një nga arsyet pse forcat e armatosura të Kosovës u pajisën vitin e kaluar me drone turke Bayraktar dhe këtë vit me 250 raketa amerikane antitank Javelin.
Projekti për një botë serbe
Shtrohet pyetja pse Beogradi ka grumbulluar një arsenal të madh armësh ndër vite pa pasur kërcënim nga fqinjët e tij. A po bën presidenti Vuçiq plane për të sulmuar vendet fqinje, siç paralajmëroi presidentja e Kosovës?
Të paktën kështu sugjerojnë deklaratat, kërcënimet dhe veprimet e udhëheqjes serbe në Beograd. Ajo propagandon projektin e “Botës Serbe”, një version pasardhës disi i zvogëluar i “Serbisë së Madhe” të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, duke ndeshur kështu në rezonancë me serbët në vendet fqinje, në Kosovë dhe Bosnjë.
Kuvendi mbarëserb
Në fillim të qershorit 2024 Vuçiqi drejtoi një “kuvend mbarëserb” në Beograd me përfaqësues të serbëve nga të gjitha zonat e ish-Jugosllavisë, një takim strategjik që formuloi në thelb planin për zbatimin e “Botës Serbe”. Në “Deklaratën mbarëserbe” Kosova përmendet si pjesë e Serbisë dhe Republika Srpska, pjesa e dominuar nga serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës, si “interes kombëtar i Serbisë”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin e dënoi këtë deklaratë në mënyrë jashtëzakonisht të ashpër. Qeveria gjermane e konsideron Deklaratën mbarë-serbe “shumë shqetësuese dhe të dëmshme për Bosnjën dhe Hercegovinën, për Serbinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Beciroviçi e komentoi takimin e Beogradit në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara si vijon: “Deklarata shkatërruese e të ashtuquajturit Kuvend mbarë-serb, e miratuar më 8 qershor të këtij viti në Beograd, nuk është vetëm një veprim deklarativ, por një dokument i rrezikshëm për një shtet të madh”.
Luftë në Ballkan?
Asnjë nga vendet fqinje që duket se janë në shënjestër të dëshirave territoriale të Beogradit nuk kanë forca të armatosura “të gatshme për luftë”. Pa mbrojtjen e dy misioneve paqeruajtëse perëndimore të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe BE-së në Bosnje (EUFOR/Althea), ata do të ishin pre e lehtë për ekspansionizmin agresiv të Beogradit.
Vitet e fundit bëri disa herë bujë dhe shkatoi trazira dislokimi i trupave serbe në kufirin me Kosovën dhe sulmi i një njësie paraushtarake serbe ndaj forcave të sigurisë së Kosovës. Kjo për shkakun se sulme të tilla të njësive paraushtarake serbe u kishin paraprirë luftës në Kroaci në vitin 1991 dhe asaj në Bosnje një vit më vonë.
Incidentet e fundit ushtarake mund të kenë qenë balona prove të Beogradit. Por meqenëse reagimet e SHBA-së dhe NATO-s ishin shumë të shpejta dhe të mprehta, Beogradi u tërhoq. Në gusht 2024 Uashingtoni ndërhyri sërish, këtë herë me drejtorin e CIA-s, William Burns, i cili shkoi në Bosnje dhe Hercegovinë posaçërisht për të ndaluar veprimet separatiste të liderit serb të Bosnjës, Millorad Dodik. Ai ka ndërmarrë vazhdimisht hapa për të shpallur pavarësinë e Republika Srpska dhe ka pajisur mijëra paraushtarakë. Politikanët në kryeqytetin Sarajevë po përgatiten për mundësinë që Republika Srpska mund të vazhdojë përpjekjet për shkëputjen. Në rast se do të lindë një konflikt i armatosur dhe serbët e Bosnjës do të vihen nën presion ushtarak, ka shumë të ngjarë që Beogradi të dërgojë tanket e tij në Bosnje për t’i shpëtuar ata.
Një luftë e re në Ballkan nuk mund të përjashtohet. Dhe tani që Donald Trump do të marrë sërish pushtetin në Uashington, është plotësisht e paqartë se si do të sillet superfuqia SHBA në një rast të tillë. Një kandidat premtues për postin e ministrit të Jashtëm është ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Së bashku me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, ai ka interesa të forta biznesi në Serbi./DW
Alexander Rhotert poiltolog i specializuar në Ish-Jugosllavi/Ballkani Perëndimor