Ndërsa sezoni turistik veror ka hyrë në kulm, qeveritë evropiane po zbatojnë masa gjithnjë e më të ashpra ndaj qirave afatshkurtra si Airbnb, duke krijuar pasiguri për miliona udhëtarë që kanë prenotuar pushimet përmes këtyre platformave.
Muajin e kaluar, Spanja urdhëroi heqjen e 65,000 pronave nga platforma Airbnb, për shkak të mungesës së licencave dhe rritjes së ankthit shoqëror për ndikimin në tregun e banesave. Edhe vende si Italia, Greqia, Franca dhe Holanda kanë nisur kontrolle dhe kufizime të ngjashme, sidomos në zonat urbane dhe destinacionet e mbipopulluara.
Këto rregullore të reja vijnë në një moment kur kërkesa për udhëtime është në nivele rekord, dhe mund të sjellin anulime të papritura, mungesë opsionesh alternative dhe kosto shtesë për udhëtarët.
“Masat e reja mund të kushtojnë para dhe të krijojnë kaos për pushuesit, sidomos nëse rezervimet anulohen në minutën e fundit”, paralajmëron kompania amerikane e sigurimeve të udhëtimit Squaremouth.
Shumica e sigurimeve të udhëtimit mbulojnë anulimet vetëm për arsye të parashikuara si sëmundje apo fatkeqësi natyrore. Kufizimet qeveritare ndaj qirave afatshkurtra zakonisht nuk mbulohen, duke i ekspozuar udhëtarët ndaj humbjeve financiare.
Platforma si Airbnb kanë politika që garantojnë rimbursim ose riakomodim nëse pritësi anulon ose nëse ambienti është i papërshtatshëm, por nuk kompensojnë kosto shtesë për bileta, makina me qira apo ndryshime të minutës së fundit.
Ekspertët e udhëtimeve rekomandojnë, mMarrjen e një police sigurimi me opsionin “Cancel for Any Reason” (CFAR), prenotimin përmes agjencive të licencuara, që ofrojnë mbrojtje më të fortë ligjore si dhe zgjedhjen e fluturimeve fleksibël dhe akomodimeve të sigurta me politika të qarta anulimi.
Ndërkohë, vendet evropiane po përpiqen të balancojnë nevojën për turizëm me mbrojtjen e tregut të strehimit për banorët, duke e vënë në qendër të debatit të ardhmen e qirave afatshkurtra si Airbnb në kontinent.