Monedha europiane ka shënuar një tjetër rekord negativ në tregun valutor shqiptar. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, 1 euro u këmbye për vetëm 97.3 lekë në 24 orët e fundit, duke vijuar trendin zbritës të nisur që në fillim të sezonit veror.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, euro ka humbur 2.91 lekë, pasi në gusht 2024 ishte në nivelin e 100.21 lekëve. Sipas ekspertëve, kjo rënie është pjesë e një fenomeni të përsëritur që ndodh çdo verë, kur prurjet e larta të valutës e tejmbushin tregun dhe forcojnë më tej lekun vendas.
Civici: Oferta e lartë e euros, arsyeja kryesore e dobësimit
Eksperti i ekonomisë Adrian Civici e lidh rënien e euros me balancën mes kërkesës dhe ofertës në treg:
“Kursi i këmbimit përcaktohet nga faktorë të brendshëm të sistemit monetar dhe financiar. Në rastin e euros, kemi të bëjmë me një ofertë shumë të lartë për shkak të turizmit, emigracionit dhe investimeve, ndërkohë që kërkesa e brendshme nuk po e përthith këtë sasi. Si rezultat, euro dobësohet përballë lekut që ka një ofertë më të kufizuar në treg.”
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk mjaftojnë
Për të ruajtur ekuilibrat financiarë dhe për të forcuar rezervat valutore, Banka e Shqipërisë ndërhyri në tremujorin e parë të vitit duke blerë 33 milionë euro nga tregu valutor. Megjithatë, sipas ekspertëve, efekti ka qenë i kufizuar.
“Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë është e nevojshme, por nuk është një objektiv i drejtpërdrejtë i saj të kontrollojë kursin e këmbimit. Megjithatë, kur ky kurs prek ekuilibrat ekonomikë, ndërhyrjet janë të pashmangshme. Por në një treg ku qarkullojnë rreth 10 miliardë euro, ndikimi është i kufizuar pa masa të tjera”, – thekson Civici.
Plani për vitin 2025: BSH do të tërheqë deri në 350 milionë euro
Për vitin 2025, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të rrisë ndjeshëm blerjet e valutës, me një objektiv prej 270 deri në 350 milionë euro për të forcuar rezervat valutore dhe për të frenuar më tej rënien e euros.
Në vitin 2024, plani ishte të tërhiqeshin 250-330 milionë euro, por rënia e vazhdueshme e kursit ka shtyrë institucionin qendror të mendojë për ndërhyrje edhe më të fuqishme gjatë vitit aktual.



