Shakira është shtruar në spital pas problemeve shëndetësore me barkun, duke detyruar anulimin e koncertit të saj në Lima, Peru.
Këngëtarja 48-vjeçare njoftoi përmes Instagramit se u dërgua në urgjencë të shtunën mbrëma dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor.
Mjekët i rekomanduan pushim të plotë, duke e detyruar të anulojë koncertin e parashikuar për sot shkruan DailyMail.

“Jam shumë e trishtuar që nuk mund të performoj sonte. Shpresoj të jem më mirë nesër”, tha ajo në deklaratën e saj, duke premtuar se ekipi i saj po punon për një datë të re.
Shakira është aktualisht në mes të turneut të saj botëror Las Mujeres Ya No Lloran, i cili nisi këtë javë në Brazil.

Koncerti i saj i radhës është planifikuar për më 20 shkurt në Kolumbi, përpara se të ndalet në Kili, Argjentinë, Meksikë, SHBA dhe Kanada.
Ylli i hitit “Hips Don’t Lie” kohët e fundit mori pjesë në ceremoninë e çmimeve ‘Grammy’, ku albumi i saj i fundit fitoi çmimin për albumin më të mirë latin pop.

Ajo shoqërohej nga djemtë e saj, Milan dhe Sasha, të cilët i ka me ish-partnerin Gerard Pique.
Ndërkohë, turneu i saj ka shkaktuar debate në rrjetet sociale, pasi disa fansa e akuzojnë për kopjimin e estetikës së turneut ‘Renaissance’ të Beyonce.
Pavarësisht kritikave, Shakira vazhdon të shijojë suksesin e saj dhe mbetet një nga artistet më të dashura në skenën ndërkombëtare.