Mes përshkallëzimit të tensioneve në Lindja e Mesme dhe zhvillimeve të fundit në Iran, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përditësuar udhëzimet për udhëtimet e qytetarëve amerikanë, duke reflektuar situatën aktuale të sigurisë në rang global.
Sipas këtij institucioni, vendet e botës ndahen në katër nivele sigurie, nga Niveli 1, që konsiderohet më i sigurti, deri te Niveli 4, ku rekomandohet shmangia totale e udhëtimeve për shkak të rreziqeve të larta.
Në kategorinë më të rrezikshme, Niveli 4, përfshihen shtete si Irani, Koreja e Veriut, Iraku, Libani, Rusia, Bjellorusia dhe Afganistani.
Ndërkohë, në Nivelin 3, ku qytetarëve u rekomandohet të rishqyrtojnë udhëtimin, renditen vende si Izraeli, Bahreini, Qiproja, Kuvajti, Omani, Arabia Saudite dhe Katari.
Shqipëria klasifikohet në Nivelin 2, që nënkupton nevojën për kujdes të shtuar gjatë qëndrimit. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe vende të rajonit si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Turqia.
Në Nivelin 1, ku rreziku konsiderohet minimal, bëjnë pjesë shtete si Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia dhe Rumania.
Së fundmi, disa vende të Gjirit si Arabia Saudite, Omani, Kuvajti dhe Bahreini janë zhvendosur nga Niveli 2 në Nivelin 3, duke reflektuar rritjen e pasigurive në rajon. Ndërkohë, Irani mbetet në kategorinë më të lartë të rrezikut, me thirrjen e qartë për të shmangur çdo udhëtim.
Ky klasifikim i përditësuar pasqyron dinamikat e reja të sigurisë globale dhe synon të informojë qytetarët amerikanë për rreziqet potenciale gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme të botës.



