Ukraina mbështet, sipas deklaratës së përbashkët me SHBA, një armëpushim 30 ditor. SHBA kanë deklaruar rifillimin e menjëhershëm të ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe duan që të vazhdojnë ta mbështesin Kievin me informacione të shërbimeve sekrete. Sikurse njoftuan të dyja palët pas bisedimeve në qytetin arabo-saudit Xhida, Ukraina u tregua e gatshme të pranojë armëpushimin 30 ditor të propozuar nga SHBA-ja – kjo në varësi të gatishmërisë edhe të Rusisë për këtë. Po ashtu do të arrihet “sa më shpejt të jetë e mundur” edhe një marrëveshje për lëndët e para të Ukrainës.
Rubio: “topi në fushën e Rusisë”
“Ukraina u shpreh e gatshme, ta pranojë propozimin e SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm për 30 ditë, që mund të zgjatet në marrëveshje reciproke mes palëve dhe që duhet të pranohet dhe të zbatohet edhe nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Për këtë SHBA-ja do t’i bëjë të qartë Rusisë, se reciprociteti është “kyç për arritjen e paqes”. Për rifillimin e ndihmës ushtarake, thuhet në deklaratën e përbashkët: “SHBA do të zhbllokojnë menjëherë ndërprerjen e shkëmbimit të informacionit dhe do të rifillojnë me ndihmën në fushën e sigurisë për Ukrainën.” Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, i cili ashtu si edhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz morën pjesë në bisedime, deklaruan, se tani topi është në fushën ruse.
“Takimi ishte produktiv”
Bisedimet ndërmjet delegacioneve nga SHBA dhe Ukraina në Xhida u zhvilluan në sfondin e një kthese që ka marrë politika e SHBA-së ndaj Ukrainës nën qeverisjen e presidentit Donald Trump. Ky i fundit javën e kaluar u afrua me pozicionet e Rusisë dhe në fillim të marsit i ndërpreu përkohësisht ndihmat ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, gj që shkaktoi shqetësime të mëdha në Kiev dhe tek partnerët perëndimorë. Në Uashington zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha, se lajmet nga Xhida janë pozitive. “Takimi ishte produktiv.”