back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetShehaj: Rama kontrollon gjithçka, nga debati politik te media

Shehaj: Rama kontrollon gjithçka, nga debati politik te media

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për orkestrimin e debatit politik në vend dhe për kontroll të gjerë mbi median dhe diskursin publik. I ftuar në emisionin “Log”, Shehaj u shpreh se opozita tradicionale prej vitesh nuk ka një agjendë të vetën dhe nuk arrin të imponojë alternativën e saj përpara qytetarëve.

“Debati politik orkestrohet nga Rama, kjo nuk është çudi, sepse ndodh që nga viti 2013. Ajo që më bëri më shumë çudi kur hyra në politikë në 2017, ishte fakti që opozita nuk kishte një plan, as një strategji mediatike. Ndërkohë që Rama kontrollon praktikisht çdo gjë”, tha Shehaj.

Duke komentuar aksionin e fundit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtimeve pa leje, Shehaj deklaroi se zgjedhja për të nisur nga Vlora nuk ishte rastësore, por pjesë e një plani të menduar politikisht nga Rama.

“Nuk shkon direkt në Theth për t’u prishur investimet banorëve atje, sepse do thonin që e ka me malësorët. E fillon nga Vlora, ku ka bërë fushatë, që të duket neutral. Ai ka vajtur më shpesh në Vlorë se unë që jam vlonjat”, u shpreh ai.

Shehaj komentoi edhe përplasjen mes figurave të tjera të politikës së re, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, duke e cilësuar si një konflikt të pritshëm.

“Nuk ka njeri që njeh politikën dhe të mos ketë parashikuar atë që ndodhi. Ne do të përpiqemi t’u ofrojmë shqiptarëve një politikë serioze, të bazuar në mbajtjen e premtimeve. Kjo është mënyra për të bërë kontrast me politikanët e vjetër”, theksoi kreu i Partisë “Mundësia”.

Shehaj u shpreh se partia që ai drejton do të përqendrohet në ndërtimin e një alternative reale, duke shmangur retorikën boshe dhe përplasjet personale, që sipas tij, i kanë lodhur qytetarët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat