Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur ish-kreun e Bashkisë së Memaliajt, Gjolek Guci, për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë.
Sipas njoftimit zyrtar, me përgjegjësi ligjore janë gjetur edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Edmonda Harizi, Bersant Ylli dhe Feta Hoxha.
Hetimet lidhen me një procedurë prokurimi të vitit 2021 për ndërtimin e ujësjellësit në 8 fshatra, me fond limit 4.1 milionë euro dhe kohëzgjatje kontrate 24 mujore. Tenderi është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. dhe “ED Konstruksion” sh.p.k.
Sipas SPAK, më 21 shtator 2020, Gjolek Guci, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, ka nënshkruar një kontratë dhurimi me shoqërinë “Artreum Generation” sh.p.k., e cila ka hartuar projektin për ndërtimin e ujësjellësit rajonal. Fondi për këtë objekt, në vlerën mbi 493 milionë lekë, ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtim dhe kolaudim punimesh, ndërsa vlera e miratuar përputhej me kostot e projektit të dhuruar nga kjo shoqëri.
Nga analiza e dokumentacionit, SPAK ka konstatuar se titullari i autoritetit kontraktor dhe anëtarët e komisionit, në bashkëpunim, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues kompanitë që, sipas hetimit, kishin mangësi në dokumentacion, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.
Po ashtu, është pranuar nënkontraktimi me “Artreum Generation” sh.p.k., e cila sipas Prokurorisë ndodhej në konflikt interesi, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike, ndërkohë që nuk plotësonte kriteret ligjore për të qenë nënkontraktore.
Gjolek Guci ka drejtuar Bashkinë e Memaliajt për disa mandate, deri në zgjedhjet kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Albert Malaj, fitoi me një diferencë prej 312 votash. Ndaj tij ka pasur edhe denoncime të mëparshme nga qytetarë dhe nga Partia Demokratike.
Hetimet për këtë çështje vijojnë.



