Ministria e Mbrojtjes njofton se situata më problematike si pasojë e reshjeve të dendura paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera gjendja është nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve kur është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.
Situata sipas qarqeve:
Shkodër
Në fshatin Obot niveli i ujit ka arritur rreth 60 cm mbi rrugën kryesore, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë dhe 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në Malësinë e Madhe janë raportuar rrugë të bllokuara, ndërsa në Fushë-Arrëz ka pasur shkarje dherash dhe rënie gurësh.
Lezhë
Janë përmbytur rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore. Dy familje janë evakuuar dhe rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji në njësitë Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Janë evidentuar rrëshqitje dherash në Torovicë dhe Tresh, ndërsa po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Droje në fshatin Dukagjin.
Vlorë
Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë, pa raportime për ujë në banesa.
Durrës
Situata po shkon drejt përmirësimit, por vijon puna për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonat e burgut, ish-Kënetës, Shkozetit dhe Nishtullës. 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura dhe 55 të tjerë në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones, janë në kuota maksimale dhe disa rrugë mbeten të bllokuara.
Krujë
Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje, janë regjistruar vërshime uji në fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliskë. Në këtë të fundit, uji ka hyrë në banesa duke prekur rreth 50 familje.
Shijak
Janë raportuar përmbytje në 15 banesa, kryesisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Gjirokastër
Reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, duke kufizuar qarkullimin. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në disa zona malore, ndërsa niveli i lumit Vjosë mbetet i lartë në Memaliaj dhe Përmet.
Kukës
Lumenjtë janë në kuota të larta, por aktualisht pa problematika.
Tiranë
Ka rritje të niveleve të lumenjve në zonat e Rrogozhinës dhe Kavajës, pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Korçë
Disa rrugë janë të pakalueshme në Devoll. Janë raportuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas, si dhe përmbytje të tokave bujqësore në Maliq.
Berat
Rreth 95 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Niveli i lumit Osum është rritur, ndërsa në lagjet “22 Tetori” dhe “Goricë” po merren masa për mbrojtjen e bizneseve dhe largimin e ujit me pompa.
Fier
Janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore dhe uji ka hyrë në 27 banesa në disa fshatra.
Në terren janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të rënda, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse, kryesisht në qarqet më të prekura.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, të raportojnë çdo emergjencë dhe të bashkëpunojnë gjatë evakuimeve. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë.



