back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaShoqata e Gjyqtarëve reagon ndaj Top Channel/ “Fushatë denigruese ndaj Asim Vokshit”

Shoqata e Gjyqtarëve reagon ndaj Top Channel/ “Fushatë denigruese ndaj Asim Vokshit”

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar me tone të forta pas akuzave të bëra ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, i cili është përmendur në media si person që ka shërbyer si informator apo agjent i shërbimeve sekrete.

Në një deklaratë zyrtare, Shoqata thekson se këto publikime përbëjnë “sulme personale që tejkalojnë kufijtë e kritikës së lejueshme” dhe “cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.”

Shoqata e Gjyqtarëve nënvizon se liria e medias është themel i demokracisë dhe një element i pandashëm i shtetit të së drejtës, por thekson se ajo “nuk mund të përdoret për të justifikuar presione publike, nxitje përbuzjeje apo denigrime personale ndaj gjyqtarëve.”

“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë deklarimet dhe publikimet e fundit në media vizive, të shkruara dhe elektronike, që kanë pasur në fokus kandidimin e magjistratit z. Asim Vokshi në Gjykatën Kushtetuese,” thuhet në deklaratë.
“Këto publikime kanë marrë formën e sulmeve personale, duke kaluar përtej kufijve të kritikës së lejueshme dhe duke u shndërruar në denigrime që cënojnë dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.”

Shoqata kujton se neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenet 22 e 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garantojnë lirinë e shprehjes dhe të medias, por edhe përcaktojnë përgjegjësinë për ta ushtruar atë në mënyrë të ndershme dhe etike.

“Liria e medias është e shenjtë, por ajo duhet ushtruar me ndershmëri profesionale dhe respekt ndaj së vërtetës. Media nuk duhet të shndërrohet në instrument për presion publik apo për denigrim të figurës së magjistratëve,” vijon reagimi.

Sipas Shoqatës, përpjekjet për të delegjitimuar proceset e kandidimit të gjyqtarëve apo për t’i ekspozuar ata ndaj sulmeve mediatike, janë në kundërshtim me standardet profesionale të gazetarisë dhe me etikën publike. Ato, sipas saj, dëmtojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë – një besim që gjyqtarët përpiqen ta ndërtojnë përmes punës së përditshme.
Shoqata i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të mediave televizive, të shkruara dhe elektronike që të udhëhiqen nga parimet e mirëbesimit dhe deontologjia profesionale në raportimin për sistemin e drejtësisë:

“Respektimi i dinjitetit të magjistratëve është kusht themelor për ushtrimin e pavarur të pushtetit gjyqësor dhe për forcimin e besimit të publikut në drejtësi.”

Në fund të deklaratës, Shoqata sqaron se qëndrimi i saj publik nuk duhet interpretuar si tentativë për të kufizuar bashkëpunimin me median, por si një apel për një raport të ndershëm e të balancuar ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe mediave.

“Ne jemi të hapur për dialog dhe bashkëpunim me median në funksion të transparencës dhe komunikimit profesional, por çdo raportim duhet të bazohet në fakte, jo në insinuata që dëmtojnë figurën e magjistratëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.”

Reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve vjen në një kohë kur përfshirja e gjyqtarit Asim Vokshi në procesin e kandidimit për Gjykatën Kushtetuese ka ngjallur debate të forta publike, pas publikimeve në disa media që e kanë përmendur si “agjent informativ”. Shoqata e konsideron këtë një përpjekje për denigrim personal dhe paralajmëron se sulme të tilla rrezikojnë të minojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe besimin e publikut tek drejtësia shqiptare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat