Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që po mbahet në Vjenë, ku në fjalën e tij u ndal te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama theksoi se përparimi i procesit nuk varet vetëm nga meritat e vendit, por edhe nga qasja e ndryshuar e udhëheqësve të BE-së ndaj zgjerimit. “Jemi në proces që ka përparuar shumë, praktikisht po çelim kapitujt e negociatave me një shpejtësi që nuk është parë ndonjëherë më parë gjatë procesit të anëtarësimit, por është kombinim i meritës tonë dhe qasjes së re të BE kundrejt zgjerimit,” tha ai.
Kryeministri gjithashtu u ndal te ndikimi i luftës në Ukrainë, duke theksuar se ajo ka “tronditur fort Evropën dhe ka përcjellë udhëheqësve të BE mesazhin se rëndësia gjeopolitike e Evropës së bashkuar është ekzistenciale”, dhe se Ballkani Perëndimor është pjesë e së ardhmes së Bashkimit Europian.
Rama shprehu optimizëm se procesi i anëtarësimit do të përfundojë herët, duke u mbështetur në marrëveshjen me Komisionin Europian që parashikon përfundimin e pjesës teknike të negociatave dhe të gjitha bisedimet deri në fund të vitit 2027.