Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për dhënie shpërblimi personelit të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë vitit 2025”, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe nis menjëherë zbatimin.
Punonjësit shtetërorë që marrin pjesë në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë muajve të verës do të përfitojnë shpërblim financiar deri në 3 paga mujore, varësisht nga koha e angazhimit:
1 pagë mujore për angazhim 1–7 ditë;
2 paga mujore për angazhim 8–15 ditë;
3 paga mujore për angazhim 16 ditë e më shumë.
Shpërblimi llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto të punonjësit të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve.
Do të përfitojnë punonjësit e:
-
Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
-
Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
-
Policisë së Shtetit;
-
Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
-
Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në bashki.
Efekti financiar total për shpërblimin e personelit gjatë verës së vitit 2025 është 262,7 milionë lekë, ku për Ministrinë e Mbrojtjes shkon 193,1 milionë lekë, ndërsa për Policinë e Shtetit 69,6 milionë lekë.