Kryeministri Edi Rama dhe homologja italiane Giorgia Meloni nënshkruan sot në Romë një sërë marrëveshjesh për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë në fusha kyçe.
Marrëveshjet përfshijnë sektorë si kujdesi shëndetësor, energjia, mjedisi, industria e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimi i migracionit, arsimi, inovacioni, diaspora dhe transformimi ekonomik.
Rama përmes një postimi në Facebook njoftoi se marrëveshjet synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe avancimin e projekteve strategjike që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe Italisë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimin e politikave strategjike mes dy vendeve.



