Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se të martën, më 16 shtator, Shqipëria do të hapë 4 kapituj të rinj negociues me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një tjetër moment historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit.
Hapja e kapitujve do të bëhet në një takim të nivelit të lartë në prani të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, nën presidencën daneze të unionit.
“Tjetër lajm i mirë – Shqipëria nuk ndalet. Të martën hapim edhe 4 kapituj të tjerë, të cilët u shtohen 24 kapitujve që kemi hapur në vetëm 11 muaj – një rekord absolut për shpejtësinë e një procesi negociatash”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kapitujt e rinj lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme, duke përfshirë sektorë strategjikë si Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi. Kryeministri i cilësoi këto si prioritete kyçe për përputhjen me standardet e BE-së dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Rama theksoi se ky është një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt objektivit strategjik “Shqipëria 2030 në BE”, duke shtuar se ritmi i deritanishëm i negociatave tregon përkushtimin e vendit për anëtarësim të plotë.