Shqipëria ka hapur sot katër grupkapituj të rinj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të Ndërqeveritare që po zhvillohet në Bruksel. Ky hap shënon një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit.
Grupkapitulli 4, i hapur sot, përfshin fusha kyçe si tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia e pastër dhe ndërlidhja e qëndrueshme e transportit – prioritetet kryesore të Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe agjendës strategjike të BE-së.
Në fjalën e tij pas takimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se me këtë hap mbeten vetëm pesë grupkapituj për t’u hapur, duke theksuar se Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë në procesin negociator.
Nga ana tjetër, komisionerja e zgjerimit, Marta Kos, vlerësoi progresin e vendit, duke e përshkruar rrugëtimin e deritanishëm si një transformim të shpejtë. “Shqipëria ka ecur shumë shpejt, kur erdha ishte e gjitha e kuqe. Tani, sa herë që hapim një grupkapitull, hiqet e kuqja dhe vendoset e verdha. Do t’i hapim të gjitha deri në fund të vitit, siç e kishim planifikuar. Urime edhe një herë, është një nder,” u shpreh ajo.
Nëse ky plan përmbushet, Shqipëria pritet të ketë të hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave me BE deri në fund të këtij viti, duke shënuar një etapë vendimtare drejt anëtarësimit.