Shqipëria po shkëlqen në përpjekjet për përafrimin me Bashkimin Evropian në fushën e energjisë së gjelbër dhe klimës. Sipas raportit më të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi konvergjencën ekonomike të Ballkanit Perëndimor me BE-në, vendi ynë është jo vetëm më përpara në zbatimin e legjislacionit të Agjendës së Gjelbër, por edhe i vetmi në rajon që ka përparuar realisht në raport me BE-në për energjinë e rinovueshme.
Në një kohë kur pesë nga ekonomitë e rajonit kanë përjetuar divergjencë, duke u larguar nga standardet evropiane dhe duke pësuar rënie mbi 10 pikë në raport me mesataren e BE-së, Shqipëria është përjashtimi pozitiv. Ajo arrin nivele të intensitetit të emetimeve të karbonit nën mesataren evropiane, një arritje domethënëse në një rajon ku varësia nga lëndët fosile mbetet e lartë.
OECD thekson se Shqipëria është e vetmja ekonomi në Ballkan që mbështetet tërësisht në burime të rinovueshme për prodhimin e energjisë, me afro 90% të kapaciteteve që i dedikohen hidrocentraleve, ndërsa pjesa tjetër shkon për energjinë diellore dhe atë me erë.
Një tjetër pikë e fortë për Shqipërinë është miratimi i Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Ndërkohë, vende si Kosova, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina vijojnë të prodhojnë mbi 60% të energjisë përmes qymyrit, duke mbajtur nivele shumë të larta të emetimeve të CO₂.
Raporti i OECD vlerëson gjithashtu se Shqipëria, përkrah Kosovës, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në krijimin e një kornize strategjike për transportin e qëndrueshëm, me objektiva konkrete për reduktimin e ndotjes në këtë sektor. Vendi ka nisur investimet për infrastrukturën e karikimit të automjeteve elektrike, një hap që shkon paralelisht me përjashtimet fiskale dhe stimujt për mjete me emetime të ulëta ose zero.
Në këtë sfidë të përbashkët për tranzicionin e gjelbër, Shqipëria po pozicionohet si një lider i qartë në rajon, duke dëshmuar se ekonomitë e vogla mund të jenë kampione në qëndrueshmëri dhe përafrim me standardet evropiane.



