Qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht shoqërinë që do të merret me procesin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë së bimës së kanabisit, që kultivohet për qëllime mjekësore dhe industriale në vendin tonë.
Me një vendim të Këshillit të Ministrave, marrë me propozim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, autoriteti i autorizuar për këtë funksion do të jetë kompania “ALBTrace Co” sh.a.
Kjo kompani, e cila është e themeluar në mars të këtij viti, ka kapital të përbashkët shqiptar dhe arab, dhe do të ketë ndër të tjera edhe rolin e prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale, për produktet që i nënshtrohen akcizës në kuadër të ligjit të ri për kanabisin mjekësor.
Përmbajtja e vendimit zyrtar
Vendimi bazohet në nenin 34, pika 5 e ligjit nr. 61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”. Në vendim përcaktohet se “ALBTrace Co” do të jetë subjekti përgjegjës për gjurmueshmërinë e gjithë zinxhirit të prodhimit dhe përpunimit të kanabisit.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen katër institucione:
Ministria e Financave
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.