Shqipëria do të përfitojë në total 524.8 milionë euro nga Programi IPA III 2021-2027, fondet më të mëdha të përpara-anëtarësimit që Bashkimi Evropian i dedikon vendit tonë, megjithëse kjo shumë është më e ulët se periudha e mëparshme IPA II (2014-2020). Sipas të dhënave zyrtare, rreth 45% e këtyre fondeve janë të dedikuara për sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri.
Për më tepër, rreth 15% e buxhetit të IPA III do të përfshijë projekte për përmirësimin e qeverisjes së mirë, komunikimit strategjik dhe përputhjen e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Pjesa tjetër, që përbën 22%, do të shkojë në fushat e lidhshmërisë, konkurrueshmërisë ekonomike dhe qëndrueshmërisë mjedisore.
Me ratifikimin e tre programeve operacionale nën IPA III, Shqipëria dhe BE do të realizojnë investime të përbashkëta prej 186.4 milionë eurosh, me fokus në tre drejtimet kryesore:
-
Modernizimin e infrastrukturës digjitale dhe digjitalizimin e plotë të vendit deri në vitin 2030.
-
Rritjen e efikasitetit të energjisë dhe uljen e konsumit përmes auditimeve dhe masave në ndërtesat publike dhe sektorin e furnizimit me ujë.
-
Rritjen e punësimit dhe aftësive të të rinjve përmes programeve të arsimit dhe zhvillimit profesional.
Së fundi, marrëveshja financiare IPA 2024 parashikon një paketë mbështetjeje prej 67.35 milionë eurosh për projekte specifike, duke përfshirë:
-
3.85 milionë euro për luftën kundër korrupsionit,
-
10 milionë euro për përmirësimin e qeverisjes lokale dhe zhvillimin ekonomik lokal,
-
13 milionë euro për mbështetjen e sektorit të pylltarisë,
-
12.5 milionë euro për sigurinë ushqimore,
-
dhe 28 milionë euro për Projektin e Mbështetjes Buxhetore.
Ky program financimi synon të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke përmirësuar kapacitetet institucionale dhe duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.