Në një kohë kur rritja e çmimeve të produkteve të përditshme ka bërë më të vështirë jetesën për shumicën e qytetarëve, një tjetër tregues ekonomik tregon një prirje ndryshe: shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për produkte luksoze, veçanërisht orë dore të markave të njohura ndërkombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025, janë importuar rreth 325 milionë lekë (rreth 3.25 milionë euro) në orë dore – një rritje me 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, pavarësisht kësaj rritjeje në vlerë, sasia fizike e orëve të importuara ka rënë. Në periudhën janar–maj 2025 janë importuar 34 ton orë, krahasuar me 44 ton në vitin 2024. Ky kontrast tregon qartë se shqiptarët po orientohen drejt produkteve më cilësore dhe të nivelit të lartë, duke lënë pas artikujt ekonomikë apo imitimet.
Kjo prirje nuk është e izoluar: ajo pasqyron një sjellje konsumatore ku një pjesë e qytetarëve e përdorin luksin, edhe në formën e një ore dore, si simbol statusi dhe shprehje të suksesit personal.
Ndërkohë, për pjesën tjetër të shoqërisë që përballet me vështirësi ekonomike, ky kontrast thekson më shumë hendekun në rritje mes konsumatorëve të zakonshëm dhe atyre që përballojnë lehtësisht produkte të luksit.
Në një vend ku kohët janë të vështira për shumëkënd, ora – për disa – duket se ka ardhur për të shkëlqyer më shumë në dorë se në jetë.