back to top
28.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëShqiptarët nuk i pëlqejnë bankat, preferojnë të mbajnë paratë nën jastëk

Shqiptarët nuk i pëlqejnë bankat, preferojnë të mbajnë paratë nën jastëk

Në një vend ku “paraja në dorë është mbret”, ambicia e kryeministrit Edi Rama për të zhdukur përdorimin e saj deri në vitin 2030 do të përmbyste tërësisht shoqërinë. Për vite me radhë, shqiptarët kanë preferuar ta mbajnë paratë nën jastëk, pranë kallashit, siç thotë batuta kombëtare sesa në banka. Por nëse Rama e arrin qëllimin e tij, Shqipëria do të bëhej ekonomia e parë pa para në dorë në botë.

Një pjesë e madhe e arsyes është fakti që aktualisht shumë transaksione ndodhin “nën dorë”. Eliminimi i parasë fizike “është një përparësi absolute për vendet me informalitet të lartë dhe me sasi destabilizuese të parave të paligjshme në sistemin financiar”, thotë Selami Xhepa, profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Tiranës.

Problemi është se as sistemi bankar dhe as shoqëria nuk janë domosdoshmërisht gati për të hedhur këtë hap. Shumica e shqiptarëve preferojnë të menaxhojnë kursimet e tyre jashtë sistemit bankar, duke i fshehur paratë në vendstrehime private dhe duke insistuar për pagesa në dorë sa herë që është e mundur. Madje edhe në guidat turistike për Shqipërinë, fraza paraja në dorë është mbret shfaqet shpesh si këshillë për vizitorët.

Ndërsa shumica e dyqaneve të mëdha apo restoranteve zinxhir pranojnë karta, kafenetë, sallonet e bukurisë, butikët, kompanitë telefonike dhe marketet jo. Në një dyqan veshjesh në qendër të Tiranës, kur gazetarët e POLITICO provuan të paguanin me kartë digjitale, shitësja i tha pyeti: “cash?”

E njëjta gjë ndodhi edhe në një taksi dhe në autobus konduktori qeshi dhe e përsëriti më me zë: “40 lekë.” Qeveria e qendrës së majtë dëshiron ta çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i vitit 2024 i Komisionit Europian e përshkruante si një ekonomi e madhe informale që pengon biznesin dhe konkurrencën për të mos përmendur të ardhurat e munguara nga taksat.

Vlerësimet tregojnë se ekonomia gri pjesa e ekonomisë që nuk llogaritet në statistikat zyrtare përbën nga 29 deri në 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, i tha POLITICO-s se qeveria dhe institucionet do të hartojnë një plan për t’i hapur rrugë ekonomisë pa para në dorë, ku hapat e ardhshëm përfshijnë një kufi për pagesat me para fizike, integrimin me sistemin e pagesave SEPA të BE-së deri në tetor, dhe shtrirjen e pagesave të menjëhershme përmes SEPA më pas.

Trauma bankare në shqiptare

Një nga problemet është se shqiptarët nuk i pëlqejnë bankat. Një anketë e fundit nga Shoqata e Bankave zbuloi se vetëm 34 për qind e popullsisë u beson atyre. Banka Botërore raportoi se më pak se 50 për qind e shqiptarëve kanë një llogari bankare. Banka e Shqipërisë thotë se 78 për qind “kanë akses” në një llogari bankare, më pak se mesatarja europiane prej 96 për qind.

Jo të gjithë janë të bindur se plani ka kuptim. Genc Pollo, bashkëthemelues i Partisë Demokratike në opozitë dhe ish-zv.kryeministër, i tha POLITICO-s se përpjekja për të mbyllur ekonominë informale duke ndaluar paranë fizike është “si të vrasësh një pulë me artileri.” Ai e quajti idenë një sulm ndaj lirisë personale të qytetarëve që mbajnë para ligjërisht.

Edhe pse pranoi se bankat shqiptare mund të jenë të ngathëta dhe të shtrenjta, rregullimi më i zgjuar dhe konkurrenca më e madhe nga platformat e parave online dhe kriptovalutat do të ishin një rrugë më e mirë sesa ndalimi i parave në dorë. Ai kishte pak besim se një shoqëri pa para fizike do të reduktonte pastrimin e parave. Erald Kapri, deputet i sapozgjedhur i Partisë së Djathtë për Mundësi, i tha POLITICO-s se kishte dyshime për prapavija politike.

“Është thjesht një nga ato idetë e Ramës për të tërhequr vëmendjen dhe për të shmangur problemet reale të vendit, si korrupsioni apo kostoja e lartë e jetesës,” tha ai.

Trauma post-komuniste

Ideja e kalimit në një ekonomi gjithnjë e më digjitale po promovohet nga shumë vende të zhvilluara si Suedia, Estonia dhe Irlanda, por Shqipëria është një tjetër histori, dhe skepticizmi publik është i kuptueshëm. Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, bankat dhe institucionet financiare, së bashku me kompanitë e investimeve, nisën të shfaqeshin dhe premtuan norma interesi të pabesueshme deri në 19 për qind mbi depozitat.

Disa firma u zgjeruan shpejt në më shumë se 25 të tilla, dhe në kulmin e çmendurisë, një në gjashtë shqiptarë kishte investuar para në shumë raste gjithë kursimet e jetës në këto skema piramidale. Investitorët e parë morën pagesa bujare, por ato u bënë gjithnjë e më të vogla dhe më të rralla ndërsa sistemi filloi të shembej. Në janar 1997, firmat e para nisën të falimentonin, duke nxitur shqiptarët të tërhiqnin masivisht paratë e tyre, duke krijuar një cikël të përkeqësuar kolapsi.

Deri në mars, vendi u fut në kaos dhe shpërtheu rebelimi. Ushtarët dhe policët braktisën postet e tyre, dhe turma shqiptarësh të zemëruar, të falimentuar, akuzuan qeverinë se kishte dështuar të ndalte mashtrimet madje se kishte përfituar prej tyre. Rreth 2.000 njerëz u vranë në përplasjet mes qytetarëve dhe autoriteteve, dhe nga bandat e armatosura që kishin plaçkitur më shumë se një milion armë nga depot shtetërore. Në total, humbjet përllogariten në rreth 1.2 miliardë dollarë ekuivalente me gjysmën e PBB-së së asaj kohe. Ky episod shkaktoi valë emigracioni, e çoi vendin vite pas në zhvillim dhe theu besimin e qytetarëve ndaj bankave dhe shtetit.

Banka të shtrenjta

Gjatë tre dekadave që nga ajo kohë, bankat kanë dështuar të rindërtojnë besimin. Një pjesë e problemit, sipas Xhepës, qëndron në faktin se bankat nuk ofrojnë shumë përfitime dhe janë të shtrenjta për t’u përdorur. Kjo i dekurajon njerëzit të hapin llogari dhe të përdorin karta apo transferta digjitale.

“Shumica kanë mbajtur norma diskriminuese interesi. Të larta për kreditë dhe shumë të ulëta për kursimet. Pagesat ndërkombëtare kanë pasur gjithashtu tarifa të larta, duke dekurajuar transfertat nga emigrantët,” tha ai.

Pagesat digjitale të brendshme mes bankave shqiptare mbartin tarifa të larta (dërgimi i 500 eurove mund të kushtojë deri në 50 euro), ndërsa lloje të tjera transaksionesh kanë gjithashtu kosto të papërballueshme. Kursi i këmbimit mes lekut dhe euros në banka është gjithashtu famëkeq për të qenë i pafavorshëm. Edhe në dyqane, bizneset ankohen se duhet të paguajnë deri në 3.5 për qind për çdo transaksion me kartë. Brumbulli, nga Shoqata e Bankave, tha se disa biznese madje u vendosin klientëve tarifa shtesë për pagesat me kartë.

Kjo u shërben bizneseve për të shmangur taksat, pasi pagesat në dorë shpesh nuk regjistrohen në kasë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, refuzoi të komentojë. Ndërsa ambicia për të shkuar drejt një ekonomie pa para në dorë deri në vitin 2030 është e guximshme, suksesi ende varet nga vendosja e një infrastrukture pagesash digjitale që është me kosto të ulët dhe lehtë e aksesueshme ndoshta përmes një monedhe digjitale të bankës qendrore apo një platforme kombëtare pagesash të menjëhershme.

Edhe pse Banka e Shqipërisë i ka studiuar monedha të tilla dhe stablecoin-e një lloj kriptomonedhe si mjete të mundshme, nuk ekziston një plan zyrtar. Pa një plan të hartuar për mekanizma të tillë, plani i Ramës rrezikon të mbetet i pa zbatueshëm./ POLITICO

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat