back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaShtëpitë me sigurim të detyrueshëm/ Zbardhet projektligji i ri i qeverisë

Shtëpitë me sigurim të detyrueshëm/ Zbardhet projektligji i ri i qeverisë

Qeveria ka përgatitur dhe dorëzuar në Kuvend projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, një mekanizëm ligjor që synon të mbulojë humbjet financiare të pronarëve nga tërmetet dhe përmbytjet, si dhe të garantojë kompensim të shpejtë në rast fatkeqësish natyrore.

Sipas relacionit shoqërues, modeli i sigurimit të detyrueshëm është frymëzuar nga praktikat ndërkombëtare, veçanërisht nga Turqia dhe Rumania, vende që kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm kostot fiskale dhe ekonomike të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Qeveria argumenton se ligji do të përmirësojë menaxhimin e riskut në Shqipëri, do të rrisë mbrojtjen financiare për qytetarët dhe do të ulë barrën mbi buxhetin e shtetit pas ngjarjeve katastrofike.

Shqipëria konsiderohet një vend me risk të lartë sizmik. Që nga viti 1900 janë regjistruar 12 tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, ndërsa më shkatërruesi ishte ai i nëntorit 2019, me magnitudë 6.4 ballë, i cili preku mbi 200 mijë persona në 11 bashki, përfshirë Tiranën dhe Durrësin.

Në relacion theksohet se edhe përmbytjet përbëjnë një rrezik të përsëritur dhe me ndikim të lartë ekonomik, sidomos në zonat e ulëta pranë lumenjve dhe në rajonet bregdetare. Ngjarjet e viteve 2010, 2015 dhe 2021 kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, bujqësi dhe infrastrukturë, me humbje që vlerësohen në qindra milionë euro. Sipas Bankës Botërore, përmbytjet krijojnë një barrë të konsiderueshme fiskale dhe rrisin ekspozimin e familjeve ndaj varfërisë.

Projektligji parashikon që kufiri maksimal i shumës së sigurimit të detyrueshëm të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat. Pjesa e zbritshme për çdo dëm do të jetë 2% e vlerës së dëmshpërblimit dhe do të mbulohet nga i siguruari.

Primi i sigurimit do të paguhet plotësisht nga pronari i banesës. Metodologjia për llogaritjen e primit do të bazohet në modele aktuariale dhe në vlerësimin e riskut sizmik për Shqipërinë, të cilat do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Projektligji pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare përpara se të kalojë për votim në seancë plenare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat