back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 21 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaShtyhet për 2028 taksa e re e pasurive të paluajtshme/ Drafti i...

Shtyhet për 2028 taksa e re e pasurive të paluajtshme/ Drafti i ri miratohet në 2026

Zbatimi i taksës së re për pasuritë e paluajtshme, që sipas planit fillestar duhej të hynte në fuqi në vitin 2026, do të shtyhet me dy vite. Sipas njoftimeve nga Ministria e Financave, reforma e taksimit të pronës do të nisë zbatimin vetëm në vitin 2028, së bashku me ndërtimin e Kadastrës Fiskale.

Burime nga ministria konfirmojnë se aktualisht po punohet për një projektligj tërësisht të ri, i cili pritet të miratohet në vitin 2026. Shtyrja vjen pas konsultimeve dhe përgatitjeve të nevojshme për ngritjen e një sistemi modern të bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme.

Drafti i vitit 2023

Projektligji i publikuar për konsultim publik në vitin 2023 parashikonte që taksimi i ri të fillonte për ndërtesat në 2026 dhe për parcelat, truallin dhe tokën bujqësore në 2028.

Sipas atij drafti, shkallët e reja të taksës do të ishin:

Ndërtesa rezidenciale: 0,1% – 0,2% (nga 0,05% aktualisht);

Ndërtesa tregtare: 0,15% – 0,25% (nga 0,2% aktualisht);

Ndërtesa bujqësore dhe industriale: 0,15% – 0,25%;

Ndërtesa të papërfunduara: 30% e shkallës përkatëse të taksës.

Ndryshimi synonte kalimin nga një sistem taksimi mbi sipërfaqe, në një taksim modern që bazohet në vlerën reale të tregut, duke përdorur kontratat e shitblerjes, çmimet e tregut dhe një hartë të re me çmime mesatare referuese për çdo zonë.

Efekti mbi qytetarët

Me shembujt e publikuar në 2023, u llogarit se detyrimet për pronarët e banesave rezidenciale do të rriteshin mesatarisht nga 18% deri në 50%, ndërsa për dyqanet rritja do të shkonte deri në 28%. Megjithëse parashikohej një zbritje 50% për banesën e parë, dyfishimi i shkallës së taksës (nga 0,05% në 0,1–0,2%) do të sillte shtim të pagesave vjetore për qytetarët.

Drafti i ri i taksës së pasurisë do të përgatitet deri në vitin 2026, por do të hyjë në fuqi vetëm në vitin 2028, njëkohësisht me funksionalizimin e Kadastrës Fiskale.

Kjo është shtyrja e dytë për reformën e taksës së pasurisë, e cila prej vitesh ka qenë pjesë e rekomandimeve të FMN-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare për Shqipërinë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat