Është shtyrë seanca gjyqësore për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Gjithçka ka ndodhur për shkak të mungesës, që siç ka thënë avokati është për arsye shëndetësore.
Në këto rrethana gjyqtarja Elsa Ulliri e ka shtyrë seancën me 12 nëntor ora 14.00.
Në këtë seancë pritet të shpalle pretencën prokurori Sotir Kllapi.
Përveç Dakos me pretencën do të njihen edhe shtetasit Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku.
Kujtojmë se Dako ndodhet në masën “arrest në shtëpi”.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste.
Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.