Avokati Alfred Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka denoncuar një rast që, sipas tij, përbën një tjetër shembull absurd të ndërhyrjes së padrejtë të prokurorisë në marrëdhënie civile.
Sipas Ballës, Prokuroria e Beratit ka nisur hetime dhe ka kërkuar arrestimin e dy avokatëve, me akuzën se “u kanë marrë shumë lekë klientëve”. Por, siç shpjegon ai, bëhet fjalë për pagesa të rëna dakord me kontrata përfaqësimi, të nënshkruara mes palëve, pas fitimit të proceseve gjyqësore shumëvjeçare.
“Po, po, është e vërtetë! Akuza: sepse u kanë marrë ‘shumë lekë’ klientëve nga pagesat që vetë klientët u kanë dhënë me marrëveshje të nënshkruar përfaqësimi, pas fitimit të proceseve gjyqësore dhjetëra vjeçare. Pra, një marrëdhënie civile, me vullnet të lirë ndërmjet palëve, po shndërrohet në çështje penale!”, shkruan Balla.
Ai shton se për fat të mirë, Gjykata e Beratit nuk pranoi kërkesën për arrestim, falë një gjyqtari që, siç e përshkruan Balla, “veproi me integritet dhe nuk lejoi një padrejtësi të tillë”.
“Përndryshe sot dy avokatë do të ishin padrejtësisht në burg, dhe avokatët sërish në grevë. Quo vadis drejtësia jonë? Sa larg do të shkojë absurdi institucional që ngatërron të drejtën me shantazhin penal?”, përfundon reagimin e tij avokati.
Ky rast ngre pyetje serioze mbi kufijtë e kompetencave të prokurorisë në marrëdhënie kontraktuale civile, si dhe mbi rrezikun e kriminalizimit të profesionit të avokatit në Shqipëri.



