Gazetari Elton Qyno, komentuar hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas Qynos, ky është një zhvillim i rëndësishëm, që tregon se SPAK ka arritur të verifikojë nivelet më të larta të pushtetit, duke përfshirë edhe zëvendëskryeministren në detyrë. “Ky është një lajm me interes të madh publik, sepse lidhet me mënyrën se si janë zhvilluar tenderat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë,” u shpreh ai.
Hetimi lidhet konkretisht me tenderin për monitorimin dhe mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, një çështje e regjistruar që nga viti 2021 dhe që ka qenë më parë objekt investigimesh mediatike. Në tender kanë marrë pjesë katër kompani, të cilat formuan dy bashkime operatorësh ekonomikë. Fitues u shpallën dy prej tyre: HILL INTERNATIONAL NV dhe NET GROUP e Valter Begajt, ndërsa dy të tjerat u skualifikuan.
Qyno thekson se Valter Begaj ka lidhje miqësore me Ervis Berberin dhe Ervis Lamin, të cilët po hetohen për një çështje tjetër të korrupsionit në ARRSH. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se në banesën e Berberit janë sekuestruar katër aparate telefoni, të cilat janë analizuar elektronikisht. Nga komunikimet mes Berberit, Ballukut dhe zyrtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave ka rezultuar se tenderi ishte paracaktuar, ndërsa procedura e komisionit ishte fiktive.
“E gjithë procedura është trukuar përmes negociatave që këta zyrtarë të lartë kanë bërë mes tyre, prandaj Balluku ndodhet sot në këtë situatë juridike,” tha Qyno, në “Syri TV”.
Gazetari sqaroi gjithashtu se tenderi për mbikëqyrjen e punimeve u zhvillua në dhjetor të vitit 2021 dhe hetimi aktual ndodhet në limitin kohor për ngritjen e akuzës, pasi çdo vepër penale ka një afat pesëvjeçar për të mbetur pa ndjekje nëse nuk ndërmerren masa brenda këtij afati.
Hetimi për Ballukun ka lindur nga një investigim më i gjerë mbi mënyrën e formalizimit të tenderave në ARRSH, që kishte çuar në hapjen e një procedimi të dytë për një episod tjetër të korrupsionit.
Elton Qyno rikujtoi se VoxNews kishte publikuar investigimin e parë më 10 korrik 2022, me titull: “Drejtori i ARRSH i jep tendera kompanisë së tij. Lidhja e Berberit me DAAM sh.p.k dhe mbyllja e syve të SPAK përballë një mega-skandali”, duke dokumentuar dy tendera të hapur nga Ministria e Infrastrukturës: një për kryerjen e punimeve dhe një për mbikëqyrjen e tyre.
Hetimi ndaj zëvendëskryeministres Balluku pritet të jetë vendimtar për zbardhjen e procedurave të tenderëve në ministri dhe për transparencën në përdorimin e fondeve publike.



