Udhëtimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian pritet të ndryshojë ndjeshëm, pasi sistemi i ri i hyrje-daljeve, i njohur si Entry/Exit System (EES), do të bëhet plotësisht funksional nga 10 prilli 2026.
Ky sistem do të zëvendësojë vulat tradicionale të pasaportave me regjistrime dixhitale për çdo hyrje dhe dalje nga territori i BE-së dhe zonës Shengen. Përveç kësaj, do të regjistrohen edhe rastet e refuzimit të hyrjes për udhëtarët që qëndrojnë për periudha të shkurtra.
Një nga risitë kryesore të EES është mbledhja e të dhënave biometrike, ku përfshihen imazhet e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, si dhe informacionet personale nga dokumentet e udhëtimit. Qëllimi i këtij sistemi është modernizimi i kontrollit kufitar, rritja e sigurisë dhe parandalimi i mashtrimeve apo aktiviteteve kriminale.
Sipas Komisioni Evropian, që nga fillimi i zbatimit gradual, mbi 24 mijë persona janë refuzuar në kufi për arsye si dokumente të pavlefshme apo mungesë justifikimi për udhëtimin, ndërsa mbi 600 individë janë identifikuar si rrezik për sigurinë.
Kujt i zbatohet sistemi?
EES do të zbatohet për të gjithë qytetarët jo-BE/Shengen që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Kjo përfshin edhe shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar dhe udhëtarët që nuk kanë nevojë për vizë.
Nga ana tjetër, qytetarët e BE-së dhe të zonës Shengen, personat me leje qëndrimi apo viza afatgjata, si dhe disa kategori të tjera specifike, janë të përjashtuar nga ky sistem. Po ashtu, Irlanda dhe Qiproja nuk do ta zbatojnë EES dhe do të vijojnë kontrollet manuale.
A priten vonesa në aeroporte?
Në muajt e parë të zbatimit të plotë, priten vonesa të konsiderueshme në aeroporte. Sipas shoqatave të industrisë ajrore, pritjet në oraret e pikut mund të arrijnë deri në dy orë.
Kjo vjen pasi çdo udhëtar nga vendet e treta duhet të regjistrohet në sistem, një proces që kërkon kohë shtesë për verifikime dhe mbledhje të të dhënave biometrike. Autoritetet paralajmërojnë që udhëtarët të paraqiten në aeroport 1.5 deri në 2 orë më herët se zakonisht.
Megjithatë, pritet që situata të normalizohet me kalimin e kohës, pasi sistemi të bëhet më efikas.
A nevojitet pasaportë biometrike?
Pasaportat biometrike nuk janë të detyrueshme, por ato lehtësojnë procesin përmes kioska-ve të vetëshërbimit. Udhëtarët me pasaporta standarde do të duhet të kalojnë nëpër sportele me personel për regjistrimin fillestar.
Të dhënat biometrike do të ruhen për tre vite, duke e bërë më të shpejtë kalimin në udhëtimet e ardhshme. Refuzimi për të dhënë këto të dhëna do të çojë automatikisht në ndalim hyrjeje.
Regjistrimi dhe aplikacioni i ri
Regjistrimi për EES bëhet në kufi dhe nuk kërkohet aplikim paraprak. Megjithatë, BE ka prezantuar aplikacionin Travel to Europe, i cili lejon udhëtarët të ngarkojnë të dhënat dhe fotot biometrike deri në 72 orë para udhëtimit, për të përshpejtuar procedurat.
Ky aplikacion aktualisht është në përdorim të kufizuar në disa vende dhe pritet të zgjerohet në të gjithë BE-në.
Çfarë do të thotë për udhëtarët?
Zbatimi i plotë i EES shënon një ndryshim të madh në mënyrën e udhëtimit drejt Evropës. Ndërsa synon të rrisë sigurinë dhe kontrollin kufitar, ai do të kërkojë edhe më shumë kohë dhe përgatitje nga udhëtarët, veçanërisht në fazën fillestare të implementimit.



