back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaSi funksionon kompensimi i TVSH-së për fermerët përmes autofaturimit

Si funksionon kompensimi i TVSH-së për fermerët përmes autofaturimit

Fermerët do të përfitojnë kompensim të TVSH-së në masën 10 për qind për blerjen e inputeve bujqësore, përmes skemës së autofaturimit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar procedurën dhe kushtet që duhet të plotësohen për përfitimin e këtij kompensimi.

Sipas Tatimeve, blerësi i regjistruar për TVSH, si grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar, lëshon faturë tatimore (autofaturë) në emër të prodhuesit bujqësor për mallrat ose shërbimet e blera. Kjo faturë përdoret për llogaritjen e kompensimit dhe duhet të përmbajë NIPT-in e fermerit, si dhe të gjitha elementet e tjera të faturës tatimore, sipas parashikimeve ligjore.

Për të përfituar nga skema e kompensimit, fermerët duhet të plotësojnë disa kushte. Qarkullimi i tyre vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal për regjistrimin në TVSH, ndërsa produktet ose shërbimet duhet të jenë rezultat i drejtpërdrejtë i veprimtarisë bujqësore. Gjithashtu, mallrat ose shërbimet duhet t’u shiten personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit dhe fermerët duhet të jenë të pajisur me NIPT, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së.

Norma e kompensimit është 10 për qind e vlerës totale të produkteve ose shërbimeve bujqësore të furnizuara nga prodhuesi, të dokumentuara me fatura tatimore, për një periudhë gjashtëmujore.

Përfitimi i kompensimit realizohet pas paraqitjes së kërkesës nga fermeri në administratën tatimore, e cila dorëzohet elektronikisht ose përmes shërbimit postar. Kërkesa duhet të shoqërohet me kopje të faturave të lëshuara nga blerësi dhe me numrin e llogarisë bankare të fermerit.

Aplikimi për kompensim bëhet çdo 6 muaj. Afati për furnizimet e kryera nga janari deri në qershor 2026 është deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa për furnizimet nga korriku deri në dhjetor 2026 afati është deri më 30 qershor 2027. Kompensimi kryhet nga administrata tatimore brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat