back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 2 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetSi përfitohet kompensimi nga tatimet për fëmijët/ Kushtet

Si përfitohet kompensimi nga tatimet për fëmijët/ Kushtet

Familjet që kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim nga tatimet duke nisur nga muaji mars i vitit 2026, nëpërmjet rillogaritjes së tatimit mbi të ardhurat e paguara për vitin 2025.

Kompensimi nuk do të jepet si një shumë fikse, por do të varet nga diferenca mes tatimit të paguar gjatë vitit 2025 dhe tatimit të rillogaritur pas zbritjes së shpenzimeve për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve. Rillogaritja do të bëhet përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA), e cila duhet të dorëzohet deri më 31 mars 2026.

Sipas skemës së parashikuar në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, nga baza vjetore e tatueshme do të zbriten shpenzime në vlerën 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim, si dhe një shpenzim fiks prej 100 mijë lekësh në vit për arsimimin e fëmijëve, pavarësisht numrit të tyre.

Zbritja e shpenzimeve për fëmijët në ngarkim përfiton nga individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë, ndërsa zbritja për shpenzimet e arsimit në vlerën 100 mijë lekë përfitohet nga individët me të ardhura deri në 1.2 milionë lekë në vit.

Në rastin e çifteve bashkëshortore, e drejta për zbritjen e shpenzimeve u takon vetëm njërës palë, konkretisht bashkëshortit me të ardhurat vjetore më të larta të deklaruara. Zbritja nuk përfitohet nga të dy prindërit njëkohësisht.

Tatimi mbi të ardhurat nga paga për vitin 2025 do të jetë paguar çdo muaj, por përfitimi real nga zbritja e shpenzimeve për fëmijët do të realizohet vetëm në momentin e rillogaritjes vjetore përmes DIVA-s. Nëse nga kjo rillogaritje rezulton tepricë kreditore, individi ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e shumës brenda tre muajve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Sipas një shembulli të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, një individ me të ardhura mujore 70 mijë lekë, ose 840 mijë lekë në vit, i cili ka dy fëmijë në ngarkim dhe ka paguar tatim vjetor prej 62,400 lekësh për vitin 2025, pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët dhe arsimin do të ketë një detyrim të ri tatimor prej 29,120 lekësh. Diferenca prej rreth 33,200 lekësh përfaqëson shumën që individi mund të kërkojë për rimbursim nga tatimet pas dorëzimit të DIVA-s.

Autoritetet tatimore sqarojnë se përfitimi nuk është automatik dhe kërkon deklarimin korrekt të të ardhurave dhe shpenzimeve, ndërsa rimbursimi kryhet vetëm pas aplikimit zyrtar nga individi përfitues.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat