Nga Hysen Myzyri
Përtej politikës, duke e parë realitetin me syrin e një qytetari të thjeshtë, me bindje them se Tirana në veçanti, por edhe Shqipëria në tërësi, ka bërë këtë 10-vjeçarin e fundit një transformim radikal që nuk ka ndodhur në gjithë historinë tonë të vështirë.
Emri i saj stigmatizohej vetëm me hijen e rëndë të diktatorit totalitar dhe tek-tuk me veprat letrare të Kadaresë, të cilat konsideroheshin si abstraksione futuriste të shkrimtarit famëmadh.
Konsiderohej në mënyrë deri diku qesharake si vendi “bunker”, një reminishencë e adaptuar e Koresë së Veriut të Kim Jong. Ndërsa tani, në një kohë relativisht të shkurtër, nuk ka vend në botë që të mos ketë dëgjuar dhe prekur bukuritë magjike natyrore, historinë, traditën dhe mikpritjen unike shqiptare.
Për ata që udhëtojnë shpesh jashtë vendit, nuk është e vështirë të konstatosh në një bisedë të thjeshtë me një të huaj në Europë, por edhe më gjerë, që të mos ketë qenë në Shqipëri për pushime dhe eksplorim të natyrës sonë magjepsëse, diçka që nuk ndodhte kurrë më parë.
Nëse e vështron Tiranën nga lart, sepse poshtë nuk të lejojnë “syzet” e militantizmit partiak, vëren menjëherë transformimin avangard me ndërtesa të stilit postmodern që do t’i kishin zili edhe vendet e Perëndimit.
Tirana trashëgoi nga e shkuara vetëm disa ndërtesa të stilit otoman dhe nga sistemi totalitar disa ndërtesa banimi të stilit kapanon, pa asnjë lloj arkitekture që shërbenin sa për të futur kokën. Ndërsa nga tranzicioni, akoma më të shëmtuara, ndërtime rrëmujë që kënaqnin vetëm xhepat e ndërtuesve profanë që mbinin si kërpudhat në vende të papërshtatshme, duke u bërë mallkim për pronarët dhe fqinjët që humbën dritën e diellit në shtëpitë e tyre.
Edhe sikur të jesh i verbuar nga agjitacioni anti-Rama, lehtësisht, vetëm me prekje me duar, mund të konstatosh se Edi Rama, në thelb, po përpiqet të transformojë peizazhin urban të Shqipërisë nga një hapësirë periferike e Europës në një qytet me kod estetik bashkëkohor. Ndërtesat e larta dhe projektet arkitektonike nuk janë vetëm struktura fizike; ato janë shprehje e një vizioni politik dhe kulturor, që synon ta nxjerrë Shqipërinë nga provincializmi drejt një identiteti metropolitano-evropian.
Në një kuptim simbolik, Edi Rama nuk është arkitekt nga profesioni (është artist dhe piktor), por është arkitekt në sensin filozofik të formësimit të hapësirës publike. Jam i mendimit, me ndërgjegje të plotë, se ai ndërhyn në estetikën e qytetit siç ndërhyn piktori në telajo, me ngjyra, kontraste dhe ritme të reja. Kështu, ai është bërë arkitekt i vizionit, jo i ndërtimit teknik.
Është shumë e vërtetë që ai ka ftuar dhe angazhuar emra të mëdhenj të arkitekturës botërore si Stefano Boeri, Mario Cucinella, Bjarke Ingels (BIG), Casamonti, madje edhe studio si OMA dhe Zaha Hadid Architects e shumë të tjerë në projektime konceptuale. Kjo është një strategji për ta futur Shqipërinë në hartën e mendimit bashkëkohor arkitektonik, për të treguar se edhe një vend i vogël mund të ketë ambicie estetike globale.
Kur qyteti hapet ndaj ideve të reja, ndaj arkitektëve të huaj më të spikatur në botë dhe ndaj zhvillimit vertikal, kemi një formë të re të demokracisë urbane, ku qyteti nuk është më pronë e nostalgjisë, por e së ardhmes.
Megjithëse demokracia urbane kërkon edhe përfshirje qytetare, transparencë dhe respekt për trashëgiminë kulturore, diçka që shpesh debatohet në rastin e Tiranës dhe bregdetit në përgjithësi.
Gjithsesi, pavarësisht ndonjë të mete, mund të thuhet me shumë të drejtë se brezat e ardhshëm do të konsiderojnë faktin e rëndësishëm se Rama është një lider me prirje avangarde, që kërkon të lërë gjurmë simbolike dhe estetike në historinë e zhvillimit të Shqipërisë. Ai synon që Tirana të jetë një laborator i modernitetit, një “manifest i së ardhmes” në Ballkan.
Në këtë kuptim, ai ndjek rrugën e liderëve vizionarë që shohin qytetin jo si një vend të tashëm, por si një skenë të së ardhmes ku historia dhe moderniteti bashkëjetojnë.
Edi Rama kërkon të bëjë me Tiranën dhe më gjerë atë që Gaudí bëri me Barcelonën: Ta kthejë qytetin në një vepër arti të hapur, ku pushteti, estetika dhe vizioni politik bashkohen në një formë urbane që flet për shekuj.
Pa dashur të lëndoj ndonjë kundërshtar politik apo ndonjë institucion mbikëqyrës financiar e drejtësie, që e shikon këtë super transformim radikal me syrin e spektrit të tij, e shpreha këtë konstatim me syrin dhe ndërgjegjen objektive të një qytetari që dashuron zhvillimin me të ardhme të vendit të tij.
Respekte edhe për ata që shohin dhe mendojnë ndryshe…



