Etleva Skonja
Pas deklaratës së Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela se Prokuroria nuk ka marrë pjesë në hartimin e draftit të ri të Kodit Penal, emri i Kujtim Lulit u rikthye në skenë, duke u paraqitur si “ish-përfaqësues i Prokurorisë” në atë grup pune.
Pse po përdoret emri i Kujtim Lulit tani?
Për të sfiduar qëndrimin zyrtar të Prokurorit të Përgjithshëm?
Pasi Çela u shpreh se Prokuroria nuk ka qenë pjesë e procesit të hartimit të draftit, dalja e emrit të Kujtim Lulit në publik synon të kundërshtojë këtë pretendim, duke i thënë opinionit: “Prokuroria ka pasur përfaqësues, ja kush ishte.
Apo emri i Kujtim Lulit, të shkarkuar nga Vettingu u përdor për të krijuar përplasje institucionale dhe për të minuar pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm në publik?
Apo, për të dhënë përshtypjen e legjitimitetit të draftit të Kodit Penal?
Përfshirja e një përfaqësuesi nga Prokuroria e Përgjithshme në fazat e hershme të konsultimeve përdoret tani për të mbështetur imazhin e një drafti të gjerë, gjithëpërfshirës, teknikisht të pjekur.
Kjo ndodh pavarësisht se ai është larguar nga sistemi që në tetor 2023, dhe nuk ka dhënë asnjë dakordësi zyrtare për versionin përfundimtar.
Manipulim i opinionit publik dhe mediatik
Emri i Kujtim Lulit përdoret për të mbuluar mungesën reale të përfshirjes institucionale në draftim.
Pra, për të mbushur boshllëkun, thuhet se “ishte edhe Prokuroria, nëpërmjet Lulit”, edhe pse vetë institucioni e ka sqaruar se nuk ka qenë pjesë e procesit pas tetorit 2023.
Ka një mungesë të theksuar të transparencës në hartimin e legjislacionit penal, që është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme.
Emrat e ish-zyrtarëve të shkarkuar nga vettingu përdoren për qëllime politike apo institucionale, edhe kur ata nuk kanë më asnjë kompetencë apo autoritet ligjor.
Kjo e kompromenton procesin dhe e bën Kodin Penal të ri të sfidueshëm si në aspektin moral, ashtu edhe institucional.
Kujtim Luli po përdoret si “figurinë teknike” për të legjitimuar një proces që nuk ka pasur përfaqësim zyrtar të Prokurorisë në fazat vendimtare. Ai është shkarkuar nga sistemi dhe nuk ka asnjë rol institucional. Përmendja e emrit të tij sot është një manovër politike, që më shumë e diskrediton draftin sesa e forcon.
Kodi i ri penal, pa dakordësinë e Prokurorisë e Përgjithshme/ Bie versioni “Kujtim Luli”
Kriminalizim me ligj?/ Çela paralajmëron sërish pasojat e rënda të Kodit të ri Penal