Qeveria parashikon që nga viti 2026, prindërit me të ardhura vjetore bruto nën 1,2 milionë lekë do të përfitojnë një zbritje tatimore prej 100 mijë lekësh në vit për shpenzimet e arsimit të fëmijëve, pavarësisht numrit të tyre.
Për çdo fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç, çdo individ, pavarësisht nivelit të të ardhurave vjetore, do të përfitojë një zbritje prej 48 mijë lekësh në vit. Këto skema do të ndikojnë në rilogaritjen e tatimit mbi të ardhurat, duke reduktuar bazën tatimore dhe duke krijuar një tepricë kreditore që individët do të mund ta rimbursojnë brenda 3 muajve pas plotësimit të deklaratës vjetore DIVA.
Në rastin e çifteve bashkëshortësh, e drejta për të përfituar zbritjet i takon prindit me të ardhura më të larta vjetore, jo të dyve. Për shpenzimet fikse për arsimin prej 100 mijë lekësh, individët duhet të kenë dokumentuar shpenzimet përmes kontratave me institucionet arsimore, të cilat ruhen për kontroll tatimor.
Shembulli praktik: Një individ me të ardhura vjetore 840,000 lekë paguan tatim mujor prej 5,200 lekësh (vjetor 62,400 lekë). Me zbritjen për arsimin 100,000 lekë, tatimi i ri mujor bëhet 4,117 lekë (vjetor 49,400 lekë). Kjo krijon një gjendje kreditore prej rreth 13,000 lekësh, e cila mund të kërkohet si rimbursim brenda 3 muajve.
Deklarimi i zbritjeve bëhet përmes DIVA-s për të ardhurat e vitit 2025, me afat deri më 31 mars 2026. Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat përcakton skemat për zbritjen e shpenzimeve për arsimin dhe për fëmijët në ngarkim, duke synuar të mbështesë familjet dhe rritjen e standardit të jetesës për prindërit me të ardhura të ulëta dhe të mesme.