back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetBotaSi u shndërrua Kaspiku në fushëbetejë

Si u shndërrua Kaspiku në fushëbetejë

Forcat ushtarake ruse në dhe përreth Detit Kaspik duket se po sulmojnë Ukrainën dhe ende nuk dihet ndikimi që kanë këto sulme në mjedisin lokal apo sa i përket numrit të viktimave, shkatërrimit të shkaktuar apo caqeve që po godasin.

Zyrtarët ukrainas raportuan se avionët luftarakë rusë gjuajtën raketa nga deti në ditët e para të pushtimit të Ukrainës, të nisur nga Moska më 2022, dhe vazhdimisht raportojnë për sulme të tilla.

Një plazh në Detin Kaspik.
Një plazh në Detin Kaspik.

Njerëzit që jetojnë pranë Kaspikut kanë raportuar po ashtu për lëshime raketash. Gjatë këtij viti, madje ata kanë publikuar një video që me sa duket shfaq lëshimin e një rakete lundruese të llojit, Kalibr.

Disa banorë lokalë kanë thënë se ky aktivitet ushtarak po shkakton ndotje, ndërkaq disa gazetarë kanë sugjeruar se ka një lidhje mes lëshimeve të raketave dhe ngordhjes së fokave të Kaspikut.

Rusia nuk ka konfirmuar se përdor Kaspikun për të kryer sulme ndaj Ukrainës, por jo gjithmonë ka qenë kështu. Në tetor të vitit 2015, media zyrtare citoi ministrin e atëhershëm rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të ketë thënë se Flota e Detit Kaspik kishte sulmuar caqe në Siri duke përdorur raketat Kalibr. Po ashtu, për një sulm nga Kaspiku kishte edhe një raportim një vit më pas.

Anija e Flotës së Kaspikut duke lëshuar një raketë drejt Sirisë.
Anija e Flotës së Kaspikut duke lëshuar një raketë drejt Sirisë.

Raportimet për sulme që nga viti 2022 kryesisht kanë qenë për bombarduesit që kanë fluturuar mbi Kaspik dhe që kanë gjuajtur raketa lundruese të llojit X-55.

Është e mundur që Flota e Kaspikut ka gjuajtur raketa Kalibr, por forcat e armatosura ukrainase kanë thënë se nuk ka dëshmi të qarta për këtë.

Një video e publikuar në qershor nga një peshkatar tregoi dy raketa. Lëvizja e bishtit të raketës ishte më e ngjashme me atë të një rakete Kalibr sesa të një rakete lundruese të lëshuar nga ajri.

Raketa lundruese duke u lëshuar nga një luftanije ruse më 20 nëntor 2015.
Raketa lundruese duke u lëshuar nga një luftanije ruse më 20 nëntor 2015.

Por, shqetësimet lokale për ndikimin në mjedis të Flotës Kaspik të Rusisë datojnë para nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Moska veçse ishte duke ndërtuar një bazë të re për flotën në Kaspik, në Dagestan, dhe në qershor të vitit 2020 atje kishte mbajtur një paradë detare.

Një banor vendas i tha Radios Evropa e Lirë se ngjarja, e cila që atëherë është mbajtur në baza vjetore, e mbulon detin me naftë dhe pas kësaj parade, brigjet mbushen me peshq të ngordhur.

“Rreth 30 vjet më parë, deti ishte plot jetë. Nuk është më. Notova te anijet gjatë verës dhe pash se çfarë po ndodhte. Flota e Kaspikut është një nga faktorët”, tha ai.

Radio Evropa e Lirë është shpallur “organizatë e padëshirueshme” nga Moska, prandaj emri i këtij personi nuk mund të zbulohet. Nëse do të zbulohej emri i bashkëbiseduesit, ai do të përfundonte prapa grilave.

Një banore lokale, e cila po ashtu duhet të mbetet anonime, tha se është zhvendosur në Kaspik nga kryeqyteti rajonal, Makaçkala, nëntë vjet më parë, duke shpresuar se uji do të ishte më i pastër.

Ajo tha se situata kishte “ndryshuar shumë” në atë kohë dhe foli për ndikimin që kanë paradat vjetore detare.

“Anijet nuk janë në port, ato janë të ankoruara në det të hapur. Ato djegin karburante pandërprerë, gjithmonë dëgjohen motorët e tyre dhe sigurisht i gjithë ky emetim shkon në det”, tha ajo.

“Më pas anijet nisin të qëllojnë. Është një atmosferë e tmerrshme. Vjen era e djegies edhe nëse dritaret janë të mbyllura… është e pamundur të marrësh frymë”.

Flota po ashtu mban stërvitje çdo shtator. Këtë vit, mbi 30 anije ishin të përfshira në stërvitje.

Pavarësisht se stërvitjet mbahen më thellë në det, burimet e REL-it thanë se karburanti i derdhur dhe peshqit e ngordhur grumbullohen në breg.

Gazetarët i kanë lidhur stërvitjet dhe aktivitetet luftuese me nivelin e ndotjes dhe ngordhjen masive të fokave.

Foka në Kaspik.
Foka në Kaspik.

Si Kalibr, ashtu edhe raketat lundruese X-55, përdorin karburante toksike që mund të derdhen në det.

Por, asnjë e dhënë e pavarur shkencore nuk është mbledhur në Kaspik për të vlerësuar ndikimin e aktiviteteve ushtarake të Rusisë ndaj mjedisit atje.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat