Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar analizën e zbatimit të buxhetit për vitin 2025, ku rezulton se përfitimet financiare të deputetëve arrijnë në rreth 200 milionë lekë, ose 44.2% të totalit të shpenzimeve operative.
Këto përfitime përfshijnë rimbursime për shpenzime telefonike, karburant, dieta brenda vendit, honorare për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si dhe mbulimin e qirasë për deputetët që nuk jetojnë në Tiranë.
Sipas raportit, këto janë përfitime shtesë mbi pagën e deputetëve dhe bazohen në “Statusin e Deputetit” dhe vendimet përkatëse të Kuvendit.
Ndërkohë, shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, përfshirë bileta, dieta dhe akomodim, kanë arritur në rreth 60 milionë lekë gjatë vitit 2025.
Buxheti i institucionit është ndarë në dy programe kryesore: ai i veprimtarisë legjislative, diplomacisë dhe kontrollit parlamentar, si dhe programi mbështetës për planifikimin dhe administrimin.
Programi legjislativ zë peshën më të madhe dhe përfshin pagat dhe kontributet e deputetëve dhe stafit, përfitimet financiare, si dhe shpenzimet për udhëtime, konferenca, delegacione dhe ekspertë të jashtëm.
Pagat dhe kontributet shoqërore për vitin 2025 kanë arritur në rreth 1.2 miliardë lekë.
Sipas analizës, deputetët përbëjnë 32% të burimeve njerëzore, stafi politik 14%, nëpunësit civilë 44% dhe punonjësit mbështetës 10%.
Në zërin e shpenzimeve operative përfshihen gjithashtu 11 milionë lekë për ekspertë të jashtëm, 16 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mirëmbajtje, 49 milionë lekë për mirëmbajtje sistemesh dhe pajisjesh, si dhe 14 milionë lekë për mirëmbajtje zyrash.
Po ashtu, 28 milionë lekë janë shpenzuar për ujë, energji elektrike, transport dhe kancelari.
Gjatë vitit 2025, Kuvendi ka realizuar edhe investime në teknologji, përfshirë 30 milionë lekë për transkriptimin audio-video me inteligjencë artificiale, 5.6 milionë lekë për një sistem ndërveprimi me publikun dhe 1.2 milionë lekë për aplikacionin “Kuvendi i Shqipërisë”.
Në kuadër të investimeve janë blerë edhe dy automjete me vlerë 14.5 milionë lekë dhe janë realizuar shpenzime prej 23 milionë lekësh për arredim dhe pajisje zyrash.



