Nisma rajonale Open Balkan, e nisur me synimin për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sot duket e mbetur në hije. Dikur e promovuar fuqishëm nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, iniciativa ka humbur vrullin politik dhe diplomatik, ndërsa përplasjet mes Tiranës dhe Prishtinës për këtë projekt u kthyen në një nga debatet më të forta në hapësirën shqiptare.
Si nisi dhe pse u mbështet nga Rama
Kryeministri Edi Rama e konsideroi Open Balkan si një mundësi praktike për integrimin ekonomik rajonal dhe për përshpejtimin e përfitimeve konkrete për qytetarët, pa pritur anëtarësimin në BE.
Rama ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se, Open Balkan nuk është kundër Kosovës dhe as kundër BE-së, por një mekanizëm për të mos humbur kohë në pritje.
Në disa dalje publike ai theksoi se, kjo është një nismë për njerëzit dhe bizneset, jo një projekt politik për dominim.
Kundërshtimet e Kurtit
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu që në fillim skepticizëm të fortë ndaj Open Balkan, duke e parë si një nismë që mund të krijonte pabarazi dhe të shmangte kornizën e procesit të Berlinit.
Kurti është shprehur se, Kosova nuk ka nevojë për iniciativa paralele rajonale kur ekziston Procesi i Berlinit. Ai gjithashtu theksoi, se çdo bashkëpunim rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe me njohje reciproke.
Në disa raste, Kurti la të kuptohet se pa njohjen e Kosovës nga Serbia, projekte të tilla nuk mund të funksiononin normalisht.
Përplasjet Rama–Kurti
Debati mes dy liderëve shpesh u bë publik. Rama kritikoi qëndrimin refuzues të Kosovës, duke nënvizuar se izolimi nuk e ndihmon rajonin. Kurti, nga ana e tij, insistoi se Shqipëria duhet të koordinohej më shumë me Kosovën për iniciativa të tilla.
Këto divergjenca u panë si një nga arsyet që nisma humbi mbështetjen politike në hapësirën shqiptare dhe nuk arriti të zgjerohej.
Si humbi vrullin Open Balkan
Në vitet e fundit, fokusi i vendeve të rajonit u zhvendos drejt Procesit të Berlinit dhe marrëveshjeve të përbashkëta rajonale nën ombrellën e BE-së. Me ndryshimet politike në rajon dhe mungesën e takimeve të shpeshta të nivelit të lartë, Open Balkan mbeti pa dinamizëm.
Sot, nisma nuk është shpallur zyrtarisht e mbyllur, por praktikisht konsiderohet e zbehur dhe pa aktivitet të dukshëm, ndërsa bashkëpunimi rajonal po zhvillohet kryesisht përmes mekanizmave të mbështetur nga Bashkimi Evropian./ E Vërteta.al (E.S)



