Dorian Koça
Banka Botërore pritet të investojë në sigurinë e digave në Shqipëri. Referuar një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare të institucionit financiar ndërkombëtar, deri në fund të muajit janar 2025 pritet të miratohet fondi prej 1,6 milionë dollar, që do të përdoret për hartimin e studimeve paraprake të fizibilitetit për 431 diga ekzistuese.
Qëllimi i përgjithshëm është zbulimi dhe adresimi i rreziqeve që mbart infrastruktura e rrënuar e ujit me fokus në rritjen e kapacitetit të depozitimit të ujit të rezervuarëve për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike. Në mënyrë të veçantë, projekti synon të përgatisë terrenin për rritjen e sigurisë dhe kapacitetit mbajtës të digave për ujitjen e 180,000 ha tokë bujqësore, kryesisht të vendosura në pjesën perëndimore bregdetare të Shqipërisë nga Shkodra në Vlorë, që do të mundësonte 200,000 ferma të rrisin rendimentet dhe të ardhurat.
Më pas, rehabilitimi dhe modernizimi i digave, si dhe përmirësimi i sigurisë së tyre do të përfshijë vlerësimin hidrologjik, forcimin strukturor dhe përmirësimin e ruajtjes së ujit në rezervuarë, menaxhimin e sedimenteve, modernizimin e kontrollit dhe monitorimit dhe masa të tjera që do të përmirësonin sigurinë dhe funksionimin e digave. Rritja e sigurisë së digave do të siguronte përfitime socio-ekonomike dhe mjedisore në Shqipëri.
Digat dhe sistemet e ujitjes luajnë një rol vendimtar në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore për bujqësi dhe qëllime të tjera. Përmirësimi i qëndrueshmërisë klimatike të sistemeve të ujitjes mund të kontribuojë më shumë në menaxhimin efikas dhe të qëndrueshëm të ujit, duke u përafruar me fokusin në zhvillimin e gjelbër, elastik dhe gjithëpërfshirës.
Gjithashtu, modernizimi i digave dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë klimatike të sistemeve të ujitjes mund të ndihmojë në forcimin qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. Duke garantuar sigurinë dhe efikasitetin e digave dhe sistemeve të ujitjes, vendi mund të përballojë më mirë ndikimin e fatkeqësive natyrore si tërmetet dhe pandemitë./SCAN