Zëvendës-kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë të Ministrave të Energjisë së Europës Qendrore dhe Juglindore, i mbajtur në Bukuresht, nën mikpritjen e Qeverisë Rumune dhe Komisionerit Europian për Energjinë, Dan Jørgensen.
Gjatë prononcimit për mediat, Balluku theksoi se në fokus të diskutimeve ishte situata energjitike rajonale dhe përgatitjet për dimrin 2025-2026, me theks të veçantë tek siguria energjetike në kontekstin e përdorimit të gazit rus.
Ministrja njoftoi një arritje të rëndësishme për Shqipërinë gjatë këtij viti: për herë të parë, raporti 8-mujor i 2025 tregon se 10% e kapaciteteve gjeneruese janë siguruar nga burimet diellore, duke çuar raportin total të prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% energji diellore.
Balluku pohoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal:
“Gjatë takimit bilateral me ministrin rumun të Energjisë diskutuam krijimin e një boshti energjetik që përfshin Shqipërinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Italinë. Bashkëpunimi rajonal do të jetë baza e një suksesi të garantuar për sigurinë energjetike europiane.”
Ministrja ka theksuar se pjesëmarrja në këtë forum i dha mundësinë të shkëmbejë eksperienca dhe të promovojë strategjinë kombëtare për diversifikimin e burimeve energjetike, duke përforcuar pozicionin e Shqipërisë në rajon dhe në Europë.



