Edhe pse Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara në Evropë nga tërmetet dhe katastrofat e tjera natyrore, qytetarët nuk po marrin masat e duhura për sigurimin e pronave të tyre. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimi për zjarret, forcat e natyrës dhe dëmtimet në pronë kanë rënë në 1.1 miliardë lekë gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025, një ulje prej 6.48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Po ashtu, edhe dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit për këto rreziqe kanë pësuar një rënie më të madhe, duke arritur në 177 milionë lekë, që është 53% më pak se në janar-maj 2024.
Sipas statistikave, primet e shkruara nga sigurimi për zjarr dhe forcat e natyrës janë 891 milionë lekë, ndërsa për dëmtimet e tjera në pronë janë 230 milionë lekë. Shqipëria dhe Mali i Zi renditen në fund të rajonit për sigurimin e pronës ndaj fatkeqësive natyrore, sipas raportit të Xprimm.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raporton 24 vatra zjarri vetëm në 24 orët e fundit, si dhe një tërmet me magnitudë 4.4 ballë, i cili shkaktoi një seri paslëkundjesh.
Kjo situatë thekson mungesën e ndërgjegjësimit për rreziqet natyrore dhe nevojën urgjente për masat mbrojtëse për pronat, në një vend ku këto fatkeqësi janë shumë të pranishme dhe kërcënuese për jetën dhe ekonominë e qytetarëve.