Qeveria ka propozuar një projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm të banesave ndaj tërmeteve, i cili parashikon që çdo banesë në territorin shqiptar, pavarësisht nëse është e siguruar vullnetarisht, do të përfshihet në skemën e re të detyrueshme të sigurimit. Drafti është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave, ndërsa synon të krijojë një mbulim të gjerë të pasurive të paluajtshme përballë rreziqeve sizmike.
Sipas projektligjit, edhe qytetarët që kanë polica sigurimi ekzistuese, përfshirë ato të lidhura si kusht për kredi hipotekore, nuk përjashtohen nga detyrimi i ri. Në këto raste, sigurimi aktual mbulon vetëm shumën e kredisë, jo vlerën reale të pronës, ndërsa polica e detyrueshme synon mbrojtjen e plotë nga dëmet që shkaktojnë tërmetet.
Mbivendosja e sigurimeve: Kush paguan në rast dëmi?
Ligji i ri parashikon që në rast dëmi, fillimisht aktivizohet sigurimi i detyrueshëm, ndërsa sigurimi vullnetar hyn në fuqi vetëm për mbulimin e dëmit që kalon vlerën e kontratës bazë. Në këtë mënyrë, qytetarët me dy polica do të kompensohen sipas një hierarkie të përcaktuar ligjërisht, duke shmangur mbivendosjen e dëmshpërblimeve.
Ndryshimi i pronësisë: Polica kalon automatikisht te pronari i ri
Në rast se banesa kalon në pronësi apo posedim të një personi tjetër, kontrata e sigurimit të detyrueshëm do të transferohet automatikisht, por pronari i ri ka detyrimin ligjor të njoftojë brenda 15 ditësh Fondin për Tërmetet, institucionin që do të administrojë skemën e sigurimit.
Zbatimi dhe përjashtimet
Skema e re do të zbatohet për të gjitha objektet me funksion banimi dhe përdorime të ngjashme (tregti, zyra, studio, ambiente shërbimi), por përjashtohen ndërtimet me materiale jo të qëndrueshme si qerpiçi, kallami, argjila, si dhe strukturat e përkohshme.
Aktivizimi i sigurimit ndodh vetëm kur ndodh një tërmet me magnitudë 5 ose më të lartë në shkallën Rihter, brenda territorit të Shqipërisë ose në zonat përreth, dhe që shkakton dëme në pasuri.
Përfshihen edhe banesat sociale, në legalizim dhe institucionet publike
Projektligji përfshin në detyrimin për sigurim edhe:
Banesat sociale që jepen me qira
Ndërtesat në proces legalizimi
Pasuritë në pronësi ose administrim të bashkive dhe institucioneve publike
Në këto raste, pagesa e sigurimit përballohet nga buxhetet përkatëse, ndërsa për shtresat në nevojë, primi mbulohet nga shteti, duke garantuar mbrojtje edhe për grupet më të rrezikuara.