back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetSilvana Subashi sipërmarrësja që ndërton të ardhmen mes ullinjve

Silvana Subashi sipërmarrësja që ndërton të ardhmen mes ullinjve

Në Shqipëri gjatë viteve të fundit kultivimi i pemëve të ullirit është rritur ndjeshëm duke sjellë dhe angazhimin e më shumë grave në këtë fushë. Silvana Subashi është njëra prej e tyre, e cila i është përkushtuar prej dy dekadash prodhimit të vajit të ullirit, si dhe administrimit të disa ullishteve në periferi të Tiranës. Në një rrëfim për Zërin e Amerikës, ajo veçon disa momente të rrugëtimit të saj, që lidhen me pasionin vështirësitë dhe trashëgiminë.

Në zonën e Marikajt në përiferi të Tiranës, pjesa më e madhe e kodrinave janë në pushtetin e ullishteve. Mijra rrënjë ullinj më një moshë që arrin deri në 2500 vjet, krijojnë atë kurorën e gjelbër që në këtë kohë ka zinxhirin e vet të prodhimit, që fillon me vjeljen e ullirit dhe mbaron me prodhimin e vajit të ullirit.

Silvana Subashi sipërmarrëse e përpunimit të ullirit për vaj, ka zgjedhur prej 20 vitesh, pas kthimit nga emigracioni në Itali, t’ia kushtojë jetën pemës së shenjtë siç e quan ajo atë të ullirit. Ka disa arsye përse ajo konsideron të tillë.

“Perandorët kurorëzoheshin me degët e ullirit, është pema që ka fuqinë më të madhe, nuk vdes kurrë vetëm nëse janë temperaturat -10 apo -15 gradë për javë të tëra, nëse i bie zjarri apo nëse rrëshqet dheu. Këto lloj pemësh ushqejnë për shekuj e shekuj breza me radhë”- tregon Silvana Subashi, sipërmarrëse e përpunimit të ullirit për vaj.

E arsimuar në degën financës Silvana për shumë vite i pasuroi dijet e saj në fushën e kultivimit të ullirit dhe prodhimit të vajit të ullirit, përmes trajnimeve të ndryshme.

Në një hapësirë prej 2 mijë rrënjë ullinjsh, trashëgimi e të parëve të familjes Silvana ka ngritur një sistem të ekulibruar për ruajtjen e

biodiversitetit dhe të prodhimtarisë së ullirit. Ka shumë paqe këtu nën ullinj për të cilën ajo tregon gjithë kohën.

“E thënë nga unë ndoshta nuk do besohet, por ulliri të merr me vete praktikisht. Ti vjen këtu dhe mrekullohesh, shikon detin, oksigjeni këtu është shumë i lartë, ndjen një lloj qetësie. Pema e ullirit nuk është vetëm për kokrrat, është fole për shumë pjesë të florës dhe faunës. Ka aroma të jashtëzakonshme që vijnë nga bimë të ndryshme. Për shembull ka pasur turistë që kanë ardhur dhe kanë thënë: “ Të lutem më lër të flas me ullirin”. Janë pemë shumë të vjetra. Ata e dinë se çfarë do të thotë të qëndrojë ajo pemë 500-600 vjet atje, kanë një lloj ndjesie”- vijon Silvana.

Turistë nga vende të ndryshme ndjekin disa procese që nga vjelja e ullinjve deri tek prodhimi i vajit në fabrikën që administrohet nga familja e Silvanës. Ky interes i turistëve ka ardhur në rritje pas një pune studimore shkencore që është kryer, bazuar në një ullishte me 60 rrënjë ullinj 500 vjeçarë. Silvana ishte pjesë e këtij studimi pas të cilit kjo ullishte u listua në google në listën e ullishteve të vjetra të botës.

“Kjo quhet ullishtja e Skënderbeut, të gjitha pemët janë rreth 500 vjeçare. U bë një studim mes Universitetit Bujqësor të Tiranës, atij të Barit, edhe një shoqate nga Mali i Zi. U morën në studim 3 fshatra në gjithë Shqipërinë, ndër to ishte edhe pjesa e Marikajt. U bë studimi si për pjesën e ullishtes ashtu edhe për bimësinë poshtë, dhe dolën 27 bimë për metër katror. Kjo është shumë e rëndësishme përsa i përket biodiversitetit, sepse tregon që biodiversiteti në këtë zone është i ruajtur tej mase shumë”- tregon ajo.

Një prej momenteve që ngjall interes lidhet me moshën e ullirit, si përcaktohet ajo, nga kush dhe mbi cilat kritere. Dhe këtë informacion ajo e ndan me Zërin e Amerikës, në një pemë ulliri që mendohet se është mbi 1 mijë e 500 vjeçare.

“Janë profesorë të ndryshëm që kanë ardhur e kanë vizituar. Pjesa e ullirit për t’i matur moshën ka 3 komponentë. Është perimetri i

rrënjës, indeksi i rritjes i cili është i ndryshëm në varietete të ndryshme, si dhe analiza e karbonit që merret te dega më e vjetër. Dega më e vjetër është ajo që ka diametrin më të madh”- thotë Silvana Subashi.

Ulliri është një pemë, që rigjenerohet vetë, dhe është e aftë, t”i japë jetë vetes, siç tregon Silvana.

“Pjesët e vdekura të degëve mbulohen me pjesë të re nga sipër, pra vetërigjenerohet. Prandaj tek ulliri rritet pjesa e diametrit, dhe krijon gjithmonë gropa” – tregon Zonja Subashi.

Në Shqipëri prej më shumë se një dekadë e gjysmë autoritetet i kanë kushtuar vëmendje kultivitmit të pemëve të ullirit dhe nga 6 milionë rrënjë ullinj në vitin 2010 sot numërohen rreth 11 milionë, që arrijnë të prodhojnë përafërsisht 117 mijë ton ullinj dhe afro 28 mijë ton vaj.

Shqipëria i plotëson nevvojat e saj për vaj ulliri, madje dhe arrin të eksportojë. Por Silvana mendon se në një treg ku ka konkurencë të fortë me vende si Spanja apo Italia, Shqipëria mund të të jetë konkuruese me tipologjinë e vajrave.

“Unë mendoj që pjesa e eksportit është një hap i dytë për Shqipërinë, ne kemi shumë të nevojshme njohjen e produktit shqiptar Made in Albania, pse një i huaj do blejë vaj shqiptar. Çertifikimi i pemëve të vjetra, pjesa e turizmit në ullishte, do na e rrisë shumë promovimin. Nëse një turist vjen blen produktet në Shqipëri, ndër to dhe vajin e ullirit, ai do të jetë një lajmës jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin ku shkon, duke u thënë të tjerëve që Shqipëria kishte ullinj apo vaj ulliri ”-argumenton ajo.

Një pjesë e rëndësishme e punës së Silvanës lidhet me prodhimin e vajit të ullirit. Në këto ambjente në sezonin e ullirit, përpunohen rreth 400 kv ullinj në ditë, shumica e fermerëve të zonës. Ka disa procese prej nga duhet të kalojnë grumbujt e ullinjve, derisa të kthehen në vaj.

“Faza e parë është faza e hedhjes te gropa e ullinjve, është procesi i larjes pastaj është proçesi i dytë shtypja e ullinjve, më pas

impastimi, centrifugimi horizontal ku bëhet ndarja e vajit me pjesën e pulpës dhe pjesa e fundit është ndarja e vajit nga pjesa e likuideve të tjera”- tregon Zonja Subashi.

Natyra është treguar shumë bujare me këtë zonë, por njerëz si Silvana, e kanë bërë atë të qëndrojë e paprekur prej qindra vitesh. Ajo sheh në gjithë këtë trashëgimi, jo vetëm një jetë që vjen nga shekujt, por dhe fuqi dhe forcë për ta cuar atë përpara edhe pse ndonjëherë në kufijtë e të pamundurës./VOA

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat