Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka theksuar se Covid-i nuk ka ikur asnjëherë, ndërsa situata aktuale nuk është alarmante për qytetarët shqiptarë. Brataj sqaroi se variantet e reja të virusit, të njohura si Stratus dhe XFG, janë në fakt forma të ndryshuara të Omicron-it dhe po shkaktojnë një pjesë të madhe të virozave të stinës.
“Edhe te ne ka pasur raste deri në 500 në javë. Të gjitha temperaturat dhe virozat që shfaqen janë kryesisht të Covid-it. Viruset janë gjithmonë me ne, disa aktivizohen me të nxehtin dhe disa me të ftohtin,” tha Brataj.
Ai shtoi se enterovirozat e verës shkaktojnë simptoma të tilla si kollitje, diarre dhe probleme të tjera, por Covid-i vazhdon të qarkullojë gjatë gjithë vitit dhe shfaqet më shumë gjatë periudhave të motit të ftohtë, nga fundi i verës deri në mars.
Në lidhje me rrezikun e fatalitetit, në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Brataj sqaroi se:
“Çdo sëmundje mund të çojë në fatalitet te një person me imunitet të ulët ose me patologji të rënda. Por personat e shëndetshëm nuk kanë probleme. Covid-i mund të jetë i rrezikshëm vetëm për ata që janë të sëmurë ose me imunitet të dobët.”
Ai theksoi gjithashtu se rreth 80% e njerëzve që infektohen nuk shfaqin simptoma, duke e bërë situatën më të menaxhueshme për sistemin shëndetësor. Rastet më të shpeshta që mbërrijnë në urgjenca janë virozat dhe problemet respiratore.
Brataj përmendi se rritja e rasteve të urgjencave kohët e fundit është edhe për shkak të fluksit të turistëve në vend, por kjo nuk duhet të shkaktojë panik. Ai nënvizoi se sistemi shëndetësor po monitoron situatën me kujdes dhe është i përgatitur për të menaxhuar çdo rritje të mundshme të rasteve.
Në përfundim, kreu i Urgjencës Kombëtare bëri thirrje për kujdes personal dhe respektimin e masave bazë të higjienës, duke paralajmëruar qytetarët që të mos nënvlerësojnë virusin, por gjithashtu duke qartësuar se situata aktuale nuk është alarmante dhe shumica e popullsisë po e kalon infektimin në mënyrë të lehtë.