Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistrates Besiana Sadikaj, e cila ushtron detyrën si prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Hetimi disiplinor ishte inicuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas një ankese të bërë nga drejtuesi i prokurorisë, lidhur me veprime të supozuara të prokurores gjatë vitit 2024, të cilat sipas ILD-së përbëjnë shkelje disiplinore për:
“Shkelje të përsëritur ose të rënda të rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me kryetarin dhe me personelin e administratës gjyqësore.”
Sipas raportit të ILD-së, analiza e fakteve të mbledhura gjatë hetimit tregon se veprimet e magjistrates Sadikaj përbëjnë sjellje të padenja dhe të pahijshme, me mungesë vetëpërmbajtjeje, në kundërshtim me Standardet e Etikës dhe parimin e garantimit të besimit të publikut tek drejtësia. Hetimi thekson se shkeljet nuk lidhen me veprimtarinë profesionale të prokurores, por kanë karakter etik dhe sjellësor, për të cilat magjistratja duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore.
ILD-ja vuri në dukje gjithashtu se veprimet e prokurores, të kryera me dashje, kanë pasur si pasojë diskreditimin e pozitës dhe figurës së magjistratit dhe cenimin e besimit të publikut te drejtësia. Sjellja e saj ka ndodhur në zyrën e drejtuesit të prokurorisë dhe në ambientet e punës së oficerëve të policisë gjyqësore, duke rritur rrezikun që kjo sjellje të ndikojë edhe tek magjistratët e tjerë brenda të njëjtës zyrë, si dhe më gjerë, duke pasur parasysh se në të njëjtën godinë funksionon edhe gjykata.
Raporti i ILD-së thekson se qëllimi kryesor i masës disiplinore është mbrojtja e interesit publik përmes deklarimit të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit dhe marrjes së masave edukative për të, nëse kjo është e mundur. Masa ka gjithashtu dy qëllime parandaluese: parandalimin e posaçëm, që prokurori në të ardhmen të mos përsërisë shkeljet, dhe parandalimin e përgjithshëm, për t’i dhënë një mesazh të qartë magjistratëve të tjerë se sjellja e papërshtatshme është e ndëshkueshme.
Duke marrë parasysh natyrën e shkeljes dhe faktin se bëhet fjalë për herë të parë, si dhe përvojën e pakët dyvjeçare të prokurores në detyrë, ILD-ja e kishte konsideruar veprimin si “shkelje të lehtë disiplinore” dhe kishte propozuar caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” sipas nenit 102, pika 2, shkronja “dh” të Ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Megjithatë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të rrëzojë këtë kërkesë, duke mos e zbatuar masën disiplinore ndaj prokurores Besiana Sadikaj. Vendimi konfirmon se, pavarësisht shqetësimeve të ILD-së lidhur me sjelljen e prokurores, nuk ekzistojnë elementët e mjaftueshëm për të vendosur një masë disiplinore.
Ky vendim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë vjen në një moment kur transparenca dhe llogaridhënia e magjistratëve ndaj publikut mbetet një nga prioritetet kryesore të reformës në drejtësi, duke reflektuar një balancë mes mbrojtjes së reputacionit të magjistratit dhe nevojës për të ruajtur standardet e etikës dhe profesionalizmit në sistemin prokurorial.



