Ka përfunduar pas rreth 7 orësh seanca në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me kërkesën e Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve për rritjen e pagave.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim, i cili pritet të shpallet brenda pak ditësh.
Gjatë seancës janë dëgjuar argumentet e të gjitha palëve të përfshira: Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve si palë kërkuese, si dhe Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë si palë të interesuara.
Në lidhje me këtë proces ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar seancën si një “farsë të shëmtuar”. Sipas Ramës, gjyqtarët janë tashmë kategoria më e paguar në Shqipëri, duke thyer piramidën shtetërore të pagave.
Kreu i qeverisë akuzoi shoqatat e gjyqtarëve se përmes kësaj kërkese synojnë të marrin në dorë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave, duke krijuar një precedent të rrezikshëm.
“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se kushdo tjetër… ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues,” shkruan Rama.
Kryeministri shprehu shpresën që Gjykata Kushtetuese të mos e pranojë kërkesën për rritje page, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të përbënte, sipas tij, një turp kombëtar.
Në fund të reagimit, Rama deklaroi se ka respekt për SPAK-un, i cili, sipas tij, nuk iu bashkua kësaj kërkese “në emër të pavarësisë së gjyqësorit”.



