Gazetari Elio Laze është arrestuar sot në Tiranë në një operacion të Policisë së Shtetit, pas hetimeve të Prokurorisë për veprën penale të shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, më i njohur ndryshe si gjobëvënie.

Arrestimi ndodhi me vendim të gjykatës dhe u bë në zyrën e portalit të tij, ku Laze u kap “në flagrancë” duke marrë para nga një zyrtar që e kishte denoncuar.

Rasti që çoi në arrestim
Raportohet se gjithçka nisi kur një zyrtar i Institutit të Shëndetit Publik, Klaus Shaqiri, paraqiti një kallëzim në polici, duke deklaruar se Laze i kishte kërkuar 20,000 euro për të hequr pretendimet dhe gjobat që gazetari i vendoste në portalin e tij.
Gjatë kontrollit të operacionit, policia i sekuestroi Lazes një shumë prej rreth 5,000 eurosh në dorë, ndërsa u vendosën prangat nga efektivët e Policisë së Tiranës, të shoqëruar me një urdhër të prokurorit Asllan Bajramaj.

Hetimet tregojnë se Laze përdorte gjuhë kërcënuese, shpifëse dhe shantazhuese për të nxjerrë para nga zyrtarë shtetërorë apo persona të tjerë, duke shkelur ligjin dhe etikën profesionale.
Shpifjet e Elio Lazes edhe ndaj CNA.al
Gjatë viteve të fundit, gazetari i arrestuar sot, Elio Laze, ka përdorur disa herë portalet e tij për të shpërndarë informacion të pavërtetë dhe shpifës ndaj mediave serioze në vend, përfshirë edhe CNA.al. Me këto sulme përmes shpifjeve dhe pretendimeve të pabaza ka tentuar të ndikojë në imazhin dhe kredibilitetin e stafit dhe të botuesit të CNA.al, Elvi Fundo, si dhe ka tentuar të minojnë besimin e publikut në informimin e saktë dhe të verifikuar.
Arrestimi i sotëm i Lazes për gjobëvënie, shantazh dhe shtrëngim me anë kanosjeje konfirmon seriozitetin e hetimeve dhe tregon se shpifjet dhe sulmet ndaj mediave nuk janë veprime të pakontrolluara dhe nuk mund të qëndrojnë pa përgjegjësi ligjore.
Karriera dhe aktiviteti i Lazes
Elio Laze ka qenë aktiv në media si pronar portali dhe gazetar, por karriera e tij është shoqëruar me polemika dhe probleme ligjore gjatë viteve të fundit. Ai ka qenë më parë gazetar në televizionin “Ora News”, por emri dhe aktivitetet e tij janë komentuar në media për lidhje të mundshme me figura të politikës apo biznesit.
Laze është përmendur në media edhe për incidente të mëparshme. Në vitin 2021 u arrestua për mbajtje armësh dhe lëndësh narkotike gjatë një kontrolli policor, ku iu gjet një pistoletë me fishekë në çantë. Pas këtij arrestimi ai nuk kreu asnjë ditë burg, por u shpëtua nga arrestimi i plotë dhe u dënua me shërbim prove, sipas raporteve në media.
Gjithashtu, ai është dënuar në gjykatë edhe për shpifje dhe fyerje ndaj individëve jashtë portalit të tij.
Arrestimi i Lazes vjen pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës për shkelje të mundshme penale, dhe tani ndaj tij rëndon akuza e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie. Hetimet pritet të vazhdojnë, ndërsa agjentët e Policisë dhe organet e drejtësisë do të zbardhin detajet e mëtejshme të këtij rasti./E Vërteta.al



